
Rusia u mohoi hyrjen dy linjave ajrore evropiane, pasi ato kishin planifikuar të shmangnin fluturimet mbi Bjellorusi për të mbërritur në Moskë. Air France dhe Austrian Airlines u detyruan të anulonin shërbimet pas bllokadës.
Reporteri i CNN, Mathew Chance, paralajmëron përshkallëzim të krizës: “Nuk është e qartë cilat janë qëllimet e Rusisë, por ajo që dimë deri tani është se dy kompani evropiane janë detyruar të anulojnë fluturimet në Moskë. Nëse kjo vazhdon të ndodhë, do të jetë një përshkallëzim i madh i krizës dhe do të shkaktojë pengesa në trafikun ajror”.
Liderët e BE-së i kërkuan këtë javë kompanive evropiane që të shmangin hapësirën ajrore bjelloruse, pasi një avion i Ryanair u detyrua të devijojë në Minsk të dielën, ku u arrestua gazetari opozitar Roman Protasevic dhe partnerja e tij. Rusia është aleat i ngushtë i Bjellorusisë dhe Presidenti Vladimir Putin takohet sot në Soçi me Aleksandër Lukashenkon, President i Bjellorusisë prej 26 vitesh.
“Do të fokusohemi te çështje ekonomike, si do të vazhdojmë përpara. Nuk do të ketë ndërhyrje; secili të zgjidhë vetë problemet brenda vendit. Gjëja kryesore për ne është që lokomotiva të vazhdojë të eci”, tha Lukashenko.
Vendimi për t’i refuzuar hyrjen disa fluturimeve është hapi i parë i Kremlinit lidhur me konfliktin diplomatik. Mbyllja e hapësirës ajrore europiane detyroi kompaninë bjelloruse Belavia të anulojë 12 fluturime deri në 30 tetor, ndërsa parashikohet se Bjellorusia do të humbë miliona dollarë si pasojë e krizës. (A2 Televizion)