
Tensionet me Iranin po lëkundin dhe marrëdhëniet me Irakun. Presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi qeverinë e Bagdadit me sanksione të ashpra, në kundërpërgjigje të rezolutës së miratuar nga Parlamenti që kërkon largimin e trupave të Shteteve të Bashkuara nga vendi.
Krisja mes Bagdadit dhe Uashingtonit erdhi pas vrasjes së gjeneralit Iranian, Qasem Soleimani në territorin e Irakut.
“Kemi një bazë ajrore jashtëzakonisht të shtrenjtë atje. Ka kushtuar miliarda dollarë për ta ndërtuar. Nuk do të largohemi derisa ata t’na paguajnë për të”, deklaroi Donald Trump.
Iraku miratoi rezolutën, jo detyruese, për largimin e të gjitha forcave ushtarake nga territori i saj, si masë mbrojtëse për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme ushtarake mes trupave amerikane me ato iraniane. Pikërisht për të evituar një luftë të mundshme, është vënë në lëvizje dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi i dërgoi një letër ligjvënësve amerikane duke i prezantuar me një rezolutë që limiton fuqinë dhe veprimet ushtarake të presidentit Trump kundër Iranit.
Dokumenti i Demokratëve do të votohet këtë javë. “Rezoluta siguron përgjegjësitë e mbikëqyrjes të Kongresit, të vendosura prej shumë kohëve, duke mandatuar që asnjë veprim ushtarak armiqësor nuk do të ndërmerret ndaj Iranit brenda 30 ditëve”, tha Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuese. E njëjta rezolutë do të votohet dhe në Senat, ku pritet të bllokohet dhe rrëzohet pasi republikanët e Trump përbëjnë shumicën.
Lidhur me propozimin e demokratëve reagoi dhe vetë presidenti amerikan, duke kërkuar që të mos limitohen aftësitë ushtarake në kundërpërgjigje të ndonjë sulmi të mundshëm nga Irani. (A2 Televizion)