Konflikti sirian 2019-2020

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2020, 13:26 | Bota
Konflikti sirian 2019-2020

Ministria siriane e Mbrojtjes njoftoi më 3 janar, se një auto-kolonë me luftëtarë kurdë sirianë ishte tërhequr nga zona e quajtur si “pika e ndezjes” në Manbij, në veri të Sirisë, shumë pranë territorit të kontrolluar nga Turqia. Ministria publikoi dhjetëra video të automjeteve që udhëtonin përgjatë rrugëve të panjohura, të mbushura me luftëtarë të armatosur, disa prej të cilëve valëvisnin flamujt e milicisë kurde, Njësia e Mbrojtjes së Njerëzve dhe Milicisë së Femrave, YPJ.

Milicia është një element i fuqishëm i Forcave Siriane të Mbrojtjes, SDF, një koalicion milicish që Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur gjatë fushatës kundër Shtetit Islamik, duke ndihmuar në sulmet në veri dhe lindje të Sirisë.

Një shpërthim u regjistrua shumë pranë patrullës së koalicionit të drejtuar nga SHBA-të, në qytetin verior sirian të Manbij, më 16 janar, në një sulm të marrë përsipër nga Shteti Islamik. Observatori Sirian për monitorimin e krimeve të luftës dhe të drejtave të njeriut, tha se 19 vetë u vranë nga sulmi, përfshirë edhe 4 shtetas amerikanë. Amaq, një uebsajt në mbështetje të Shtetit Islamik, tha se sulmuesi mbante veshur eksploziv në trup dhe e shpërtheu atë pranë një patrulle të huaj ushtarake, në një sulm vetëvrasës: “Një martir në mision, duke përdorur një eksploziv nën veshje, shënjestroi një patrullë të koalicionit të huaj në qytetin Manbij, në verilindje të Alepos”.

Forcat Demokratike Siriane nisën zjarr ndaj luftëtarëve të Shtetit Islamik më 8 shkurt, një ditë përpara se të planifikonin një sulm mbi enklavën e fundit të militantëve të ISIS, në atë pjesë të Sirisë ku koalicioni ndërkombëtar, i drejtuar nga Amerika, po mbështeste operacionet kundër grupit terrorist. Agjencia e lajmeve Amaq, mbështetëse e ISIS, transmetoi më 11 shkurt pamjet e luftëtarëve të Shtetit Islamik që targetojnë forcat kurde, në përpjekje për të kapur një nga zonat e fundit në të cilat ISIS vepronte në Siri.

Dhjetëra të afërm të luftëtarëve të huaj, përfshirë këtu irakenë, turq dhe rusë, që i ishin bashkuar ISIS-it, u larguan nga bastionet e tyre të fundit në Sirinë Lindore më 12 shkurt, pasi xhihadistët humbën terren, pasi ishin mposhtur nga forcat amerikane. SDF siriane, e cila kontrollonte thuajse çerekun e vendit, kishte vendosur të niste një sulm me ndihmën edhe të raketave nga ajri, nga ana e ushtrisë amerikane. 1500 civilë u evakuuan më 12 shkurt, tha zëdhënësi për median i Forcave Demokratike Siriane, Mustafa Bal.

Një makinë-bombë shpërtheu në një pikë të kontrollit kufitar, në qytetin sirian të Al-Rai, shumë pranë kufirit turk më 12 shkurt, thanë banorët dhe punonjësit e emergjencave civile. Eksplozivi ishte vendosur 5 km larg kufirit, duke plagosur rëndë 3 policë dhe 4 civilë. Presidenti rus Vladimir Putin mbajti një samit në resortin e Detit të Zi në Sochi, për të diskutuar të ardhmen e Sirisë, me homologun turk Taip Rexhep Erdoan dhe Presidentin iranian Hassan Rouhani. Në samit, Putin tha se Rusia, Turqia dhe Irani u dakordësuan për të ndërmarrë hapa të mëtejshme, të paspecifikuara, për të pastruar rajonin sirian të Idlibit, që nga liderët u cilësua si një pikë e nxehtë e terroristëve, por Kremlini tha se atje nuk do të ndërmerret asnjë operacion ushtarak.

Presidenti sirian Bashar al-Assad njoftoi më 17 shkurt se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i mbrojnë ata që varen prej tyre, duke iu referuar këtu luftëtarëve kurdë, që kontrollojnë pjesën më të madhe të veriut të vendit: “Ne i themi atyre grupeve që besojnë tek Amerika, se amerikanët nuk do të mund t’ju mbrojnë. Amerikanët nuk do t’ju kenë as ndër sy e as në zemër. Amerikanët duan t’ju kenë në xhep, që t’ju kenë si një lojë në dorë dhe kanë nisur ta bëjnë këtë gjë. Nëse ju nuk përgatiteni për veten tuaj, për të mbrojtur vendin tuaj dhe për të rezistuar, do të shndërroheni në skllevër të otomanëve. Ju do të mbroheni, por nga vetë qeveria juaj. Nuk do të mbroheni nga ushtria arabo-siriane”.

Videoja e transmetuar më 22 shkurt nga rrjeti që mbështet SDF siriane, tregon që militantët e Shtetit Islamik zotërojnë ende armë dhe një pjesë të mirë të territorit. Në video, luftëtarët shfaqen në Baghouz, shumë pranë kufirit iraken, dhe në zona të tjera të paidentifikueshme. 3 ditë më vonë, më 25 shkurt, në një tjetër video të transmetuar, shfaqen civilë dhe familjarët e luftëtarëve të ISIS, që mbërrijnë pranë kampit famëkeq të Al-Hol.

Civilët u evakuuan pranë fshatit Baghouz, në kufi me Irakun, që shiheshin si fushëbetejat finale të ISIS, në lindje të Sirisë. Milicia e Forcave Demokratike Siriane kishte rrethuar militantët në fshat dhe po përpiqeshin të përfundonin evakuiimin e civilëve nga zonat e rrezikuara, përpara se t’i pushtonin ato.

Presidenti sirian Bashar Al Assad u shfaq për herë të parë që nga nisja e konfliktit sirian 8 vjet më parë, në aleatin e tij më të afërt rajonal, Iran, duke takuar atje liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në Teheran, më 25 shkurt. Lajmi u raportua nga Televizioni Shtetëror Sirian.

Izraeli dhe Rusia do të punonin bashkë për të siguruar largimin e forcave të huaja nga Siria, njoftoi më 3 mars kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, pasi vizitoi Moskën, për të mbrojtur qëndrimin kundër pranisë së Iranit në vend. Teksa Presidenti sirian ishte pro vijimit të kryengritjes, që kish hyrë në vitin e 8, Izraeli shqetësohej se përforcimi dhe mbështetja që i vinte nga Irani do të bënte që edhe milicia libaneze Hezbollah, me bazë në Teheran, do të qëndronte, e madje mund të shndërrohej edhe në një front të ri të luftës.

Një video e postuar në rrjetet sociale më 26 shkurt, shfaqi pasojat e një sulmi ajror, nga rebelët në veri-perëndim të Sirisë. Monitoruesit e luftës thanë se kishte një përshkallëzim të sulmeve nga ajri në veriperëndim, që mbetej bastioni më i madh i kundërshtarëve të Presidentit Assad, me mijëra civilë që ishin detyruar kështu të braktisnin qytetin e Khan Sheikhoun.

Presidenti amerikan Donald Trump i tha trupave amerikane më 28 shkurt, se forcat amerikane në Siri kanë rimarrë 100% të territorit, që dikur zotërohej nga militantët e Shtetit Islamik, një deklaratë kontradiktore kjo nga komandanti i Forcave Demokratike Siriane, i cili tha se për mposhtjen e tyre duhej së paku edhe një javë. 

“Sapo kemi marrë atë që keni dëgjuar në 90-92% të kalifatit në Siri. Tani e kemi 100% nën kontroll Kalifatin Islamik. Kjo tokë është e jona 100%. Kjo është gjë e mirë. E bëmë këtë për një periudhë më të shkurtër kohe nga sa e kishim menduar”, thonte Trump.

Militantët e Shtetit Islamik dhe familjarët e tyre u dorëzuan pranë Forcave Demokratike Siriane, në Baghouz, fshatit pranë kufirit iraken më 28 shkurt, sipas videos së transmetuar në televizion. Forcat siriane, të ndihmuara nga koalicioni ndërkombëtar, morën edhe territorin e fundit, bastionin e ISIS, pranë kufirit iraken, të cilësuar si “Beteja Finale”, më 3 mars, pasi avancuan aty dalëngadalë.

Forcat Demokratike Siriane u përplasën me luftëtarët e Shtetit Islamik për thuajse 18 orë brenda fshatit Baghouz, pasi zhvendosën prej andej civilët dhe nisën sulmin më 1 mars. Një video e postuar në rrjetet sociale shfaqte pamjet e sulmeve ajrore, me shënjestër Shtetin Islamik në Baghouz. 150 luftëtarë të Shtetit Islamik u dorëzuan pranë forcave ushtarake amerikane më 4 mars, tha grupi i monitorimit të luftës, pas sulmit të egër e mizor në bastionin e tyre të fundit në Lindje të Sirisë.

ISIS u mposht edhe në këtë zonë, e fundit e mbetur për vite të tëra nën kontrollin e tyre, në këtë zonë mes Irakut dhe Sirisë, zone në të cilën shpallën në 2014 krijimin e Kalifatit, edhe pse ende kanë kontrollin e disa zonave të vogla.

Luftëtarët kurdë targetuan ISIS, pasi morën enklavën e fundit të grupit xhihadist në lindje të Sirisë, në pamjet që u transmetuan nga milicia kurde. Forcat siriane, të mbështetura nga ushtria amerikane, nisën edhe një sulm kundër enklavës së ISIS në Sirinë lindore më 10 mars, duke synuar që t’i hiqte edhe mburojën e fundit, atje ku ishte shpallur Kalifati, ndjekësit e të cilit dikur kontrollonin 1/3 e Irakut dhe Sirisë. Operacioni për t’i marrë edhe këtë bastion ISIS-it, dukej se ishte shumë pranë fundit, me një grup të fundit civilësh që u evakuuan nga zona e Baghouz nga forcat e SDF-së kurde.

Agjencia kurde e lajmeve raportoi se sulmet ajrore vijonin, po ashtu edhe sulmet me artilerinë e rëndë, atje ku bastioni i fundit u mor më 18 mars. Pas marrjes së qytezës së vogël në lindje të Sirisë, forcat demokratike siriane nisën një tjetër aksion, atë të kontrollit për luftëtarë të fshehur të ISIS.

SDF shpalli më 23 mars mposhtjen e ISIS dhe shkatërrimin e Kalifatit njëherë e mirë. Rrjeti mediatik i Shtetit Islamik, Al Furqan, publikoi më 29 prill atë që u duk si një videomesazh nga lideri i ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi, në të cilin ai shprehej se grupi do të hakmerrej për çdo militant të vrarë e të burgosur.

Thuajse 7 muaj më vonë, më 5 tetor, Presidenti turk Taip Rexhep Erdoan njoftoi se operacioni turk në Siri ishte i pashmangshëm. Erdoan tha se Turqia do të nisë një sulm ajror dhe tokësor, përmes ushtrisë së saj, në lindje të lumit Eufrat në Siri, në deklaratën e tij më të qartë e të fortë për një sulm të papritur, që nga koha kur Ankaraja dhe Uashingtoni zyrtar vendosën ta quajnë atë një “Zonë të Sigurtë”: “Ne përfunduam përgatitjen, kemi gati planin operacional dhe kemi dhënë urdhrat e domosdoshëm. Është koha të gjejmë rrugën tonë drejt paqes, për të cilën është vendosur e për të cilën kemi nisur punën. Dikush mund të thotë se mund të sulmojmë sot ose nesër. Ne do të veprojmë me këtë operacion në tokë, por edhe nga ajri. Dhe nuk kemi asnjë dyshim se vëllezërit tanë në Siri do të jenë në anën tonë, me të gjithë fuqinë e tyre”. 

Më 7 tetor, Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi aleatin e NATO-s, Turqinë, me shkatërrimin e ekonomisë së saj nëse Ankaraja çon deri në fund planet e saj për sulme ushtarake në Siri, edhe pse vetë lideri i SHBA-ve i kishte hapur derën një sulmi turk: “I kam thënë Turqisë se nëse ata bëjnë diçka jashtë asaj çka ne quajmë njerëzore, atëherë ata do të vuajnë zemërimin e një ekonomie ekstremisht të shkatërruar”.

12 persona mbetën të lënduar nga raketat dhe predhat, të shtëna nga Siria, në anën turke të kufirit, raportoi më 10 tetor agjencia e lajmeve Anadollu. Në rajonin Kamishli, dhjetëra vetë u dërguan në spital pas sulmeve ajrore turke teksa në verilindje të Sirisë, 9 civilë kishin mbetur të vrarë. Rebelët sirianë, të mbështetur nga Turqia, morën kontrollin e qendrës së qytetit sirian të Ras Al Ain, më 12 tetor, teksa ofensiva turke kundër milicisë kurde në rajon kishte hyrë në ditën e katërt.

Policia ushtarake ruse kishte nisur patrullimet në rrugët e qytetit sirian të Manbij, një ditë pasi trupat amerikane ishin larguar prej aty. Më 17 tetor, zv/presidenti amerikan Mike Pence njoftoi se është arritur një marrëveshje me Turqinë, për të pezulluar ofensivën në Siri, së paku për 5 ditë, për të lejuar forcat kurde që të largohen nga zona e sigurtë: “Sot, SHBA dhe Turqia kanë firmosur një marrëveshje armëpushimi për Sirinë. Pala turke do të ndalojë operacionin “Pranvera e Paqes” në mënyrë që të lejojë forcat kurde të tërhiqen nga zona e sigurtë brenda 120 orëve”.

Sirianët goditën me patate dhe bërtisnin në drejtim të mjeteve ushtarake amerikane, teksa ata kalonin përmes qytetit Kamishli, në kufirin verilindor. Rusia informoi Turqinë se luftëtarët kurdë ishin zhvendosur nga ajo pjesë e tokës pranë kufirit siriano-turk, brenda afateve të vendosura nga Ankaraja dhe Moska, njoftoi Presidenti Erdoan më 29 tetor: “Sot, në orën 18:00. Këtë thamë? Ne thamë se ata do të tërhiqen totalisht. Sipas informacioneve që kemi marrë nga autoritetet ruse, organizatat terroriste janë zhvendosur totalisht nga zona”.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se lideri në arrati i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, ishte vrarë nga një sulm i forcave speciale amerikane në veriperëndim të Sirisë: “Mbrëmë, SHBA-të vendosën drejtësi për terroristin numër 1 në botë. Abu Bakr al-Baghdadi ka vdekur”.

Së paku 13 persona u vranë dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën pasi një makinë bombë shpërtheu në qytetin sirian të Tel Abyad, në kufi me Turqinë, shumë pranë një tregu, më 2 nëntor. Lajmi u konfirmua nga media shtetërore turke dhe Observatori Sirian për të drejtat e njeriut. Një tjetër video, e shpërndarë përmes rrjeteve sociale nga grupi i mbrojtjes civile të njohur si “Helmetat e Bardha”, tregojnë pamjet kur disa anëtarë të tyre japin ndihmën e parë kur 2 makina bomba shpërthyen në qytetin Tel Mardikh, në veriperëndim të Sirisë, më 19 dhjetor, duke lënë të vrarë një person.

Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi Sirinë dhe u takua me homologun e tij Bashar al Assad në Damask. Vizita erdhi në një moment kur tensionet në rajon ishin rritur, e teksa aleati ushtarak kryesor i Asadit, Irani, ishte shprehur se do të hakmerrej ndaj Shteteve të Bashkuara pas vrasjes së gjeneralit iranian në një sulm me dron.

Televizioni sirian transmetoi më 28 janar pamjet e forcave të qeverisë siriane teksa patrullojnë qytetin e Maarat al-Numan, në rrethinat e Idlibit. Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, tha se një civil mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos kur forcat amerikane nisën të qëllojnë mbi qytetarët në makinat e tyre, të ndaluara në një pikë kontrolli, në fshatin Kherbat Amo, në lindje të Kamishlisë, më 12 janar.

Rebelët sirianë, të mbështetur edhe nga Turqia, qëlluan mbi një helikopter qeveritar, në perëndim të Alepos, mbi rajonin Idlib, ku dhuna dhe zhvendosjet kishin nisur javë më parë, siç raportoi më 14 shkurt media shtetërore turke dhe ajo siriane.

Media shtetërore siriane tha më 16 shkurt se forcat qeveritare kishin marrë nën kontroll pjesën më të madhe të provincës së Alepos, të mbajtur më herët nga rebelët dhe kjo falë një ofensive me mbështetjen ruse. Presidenti turk Erdoan tha më 19 shkurt se bisedimet me Rusinë në rajonin verëperëndimor të Sirisë, Idlib, ishin shumë larg kërkesave të Turqisë dhe paralajmëroi një operacio nushtarak, që mund të ishte vetëm “çështje orësh”: “Po hyjmë në ditët e fundit për regjimin sirian, për t’i dhënë fund armiqësisë në Idlib. Ky është paralajmërimi ynë i fundit. Fatkeqësisht, nuk kemi arritur ende asnjë rezultat të dëshiruar në bisedimet që kemi mbajtur me Rusinë, por edhe në terren. Me fjalë të tjera, ofensiva në Idlib është vetëm çështje kohe. Ne nuk do t’ia japim Idlibin regjimit sirian, që nuk kupton vendosmërinë e vendit tonë dhe për ata që e inkurajojnë”.

Presidenti sirian Bashar al-Assad tha më 17 shkurt se fitoret e fundit të forcave të tij, mbështetur edhe nga ofensivat ushtarake ruse, paralajmëruan fundin e një kryengritjeje tashmë 9-vjeçare, që synonte ta rrëzonte atë nga pushteti: “Ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se çlirimi i veriperëndimit të Sirisë nuk nënkupton fundin e luftës apo rrëzimin e skemave, as fundin e terrorizmit, as nuk nënkupton se armiqtë u dorëzuan, por nënkupton qartazi se herët a vonë, ata do të mposhten e për kët ëduhet të përgatiten”.

Rusia dhe Turqia dështuan në arritjen e një marrëveshjeje në bisedimet që u mbajtën në Moskë në shkurt, me synim për të sheshuar tensionet mbi provincën siriane të Idlib. Sergei Lavrov tha: “Sa i përket rezultatit të bisedimeve ruso-turke, të mbajtura dje dhe pardje në Moskë, dua të them se dështuam në arritjen e një vendimi final mbi mënyrën se si marrëveshjet mes Putin dhe Erdoan do të implementohen sa i përket Idlibit. Ne nuk bëmë asnjë kërkesë të re, ne besojmë në nevojën e implementimit të asaj për çka liderët u dakorduan”.

Për herë të parë në 8 vite, Aeroporti Civil i Alepos u hap për të pritur avionin e parë me pasagjerë më 9 shkurt, në një fluturim që vinte nga Damasku. Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë, i ndoqën zhvillimet e fundit për Idlibin e Sirisë nga qendra e koordinimit në provicën kufitare të Hatay, më 28 shkurt. Më herët atë ditë, ushtria turke kishte thënë se do të hakmerrej me zjarr ndaj shënjestrave të qeverisë siriane, në kundërpërgjigje të një sulmi ajror, nga i cili mbetën të vrarë 33 ushtarë turq, pikërisht në provincën e Idlibit.

Presidenti Erdoan njoftoi më 29 shkurt se kishte biseduar me homologun rus Putin, që Rusia të bëhej mënjanë në Siri dhe të lejonte vetë Turqinë që të merrej vetëm me forcat qeveritare siriane. Erdoan tha se vetëm në Stamboll kishin kaluar kufirin 18 000 emigrantë:“Ia thashë edhe zotit Putin. Çfarë po bëni atje? Nëse doni të ngrini një bazë atje, bëjeni, por ikni nga rruga jonë, na lini vetëm përballë regjimit sirian. Ne do të bëjmë çka është e nevojshme me regjimin”.

Më 29 shkurt, turma të mëdha me emigrantë kaluan kufirin përmes Edirnes për në Turqi, në një përpjekje të radhës për të kaluar në Europë, disa ditë pasi një zyrtar kishte thënë se kufijtë u rihapën.

Policia greke nisi të hedhë gaz lotjsellës në përpjekje për të shpërndarë emigrantët, të mbledhur në kufi me Turqinë. Forcat greke u tërhoqën në kufirin e tyre të sigurisë, teksa kriza siriane tashmë kishte trokitur në dyert e Bashkimit Europian.

Media shtetërore siriane e mohoi lajmin që një avion qeveritar ishte rrëzuar më 1 mars dhe tha se ushtria kishte rrëzuar një dron turk mbi qytetin Saraqeb, në rajonin e Idlibit, në veriperëndim të Sirisë. Agjencia e lajmeve Anadollu tha më herët se një avion qeveritar sirian është rrëzuar në Idlib, duke shtuar zërat se ushtria turke kishte intensifikuar sulmet me shënjestër qeverinë siriane. Përpjekjet diplomatike nga Ankaraja dhe Moska për të ulur tensionet dështuan, pa arritur armëpushim në Idlib, zonë e cila ende ishte nën pushtetin e rebelëve, që prej nisjes së luftës 9 vite më parë.

Ankaraja shtoi operacionet e saj, përfshirë këtu edhe sulmet me dron, kundër forcave të qeverisë siriane, pasi 33 nga ushtarët e saj u vranë po nga një sulm ajror, duke thënë se pjesë e sulmeve tashmë janë, përveç ndërhyrjes nga ajri, edhe trupat ushtarake tokësore, me më shumë se 100 tanke, që goditën 2 avionë të ushtrisë siriane.

Forcat qeveritare siriane morën kontrollin e provincës së Idlibit, zonës strategjike të kontrolluar nga rebelët, pas luftimeve të ashpra me ta, mbështetur nga ushtria turke, raportoi më 2 mars televizioni sirian dhe agjencia shtetërore e lajmeve SANA. Televizioni shtetëror sirian transmetoi live pamjet nga Sarabeku, që shtrihet në autostradën më të madhe të vendit dhe tha se tashmë qyteti është nën kontrollin e qeverisë. Rebelët i mohuan këto lajme, duke thënë se do ta mbajnë qytetin edhe pas bombardimeve e luftimeve të ashpra. Sarabeku kishte qenë brenda 1 muaj nën kontrollin e dy palëve, duke reflektuar qartë rëndësinë që kishte, si e vetmja mundësi largimi drejt qytetit të kontrolluar nga qeveria, Alepo dhe qytetit të mbajtur nga rebelët, Idlibi. Presidenti turk i bëri thirrje forcave qeveritare siriane që të tërhiqen: “Nëse ata nuk tërhiqen nga kufijtë që Turqia ka vendosur, sa më parë të jetë e mundur, nuk do të ketë më asnjë mirëkuptim dhe asnjë mbështetje”.

Një raport nga Komisioni Hetues për krime lufte pranë Kombeve të Bashkuara, që kishte mbuluar periudhën korrik 2019-shkurt 2020, zbuloi se Rusia kishte kryer sulmet ajrore mbi një treg të populluar dhe një kamp për emigrantët, duke shkaktuar vdekjen e civilëve të pafajshëm në muajt korrik dhe gusht. Në raport përshkruhen po ashtu abuzimet nga rebelët, aleatë të Turqisë, gjatë sulmeve në zonat e kontrolluara nga kurdët dhe thanë se nëse rebelët veprojnë nën udhëzimin e forcave militare kurde, atëherë komandantët e tyre mund të akuzohen e dënohen për krime lufte: “Ajo çka ne kemi zbuluar janë 2 lloj krimesh ndërkombëtare apo krime lufte, një prej tyre me sulme të qëllimshme dhe sulme mbi personelin mjekësor, që janë tipike krime lufte. Por, ka edhe krime lufte me qëllime terrorizmi, ndaj popullsisë, me qëllim që ata të zhvendosen me forcë. Mendoj se këtë panoramë të qartë e kemi në Idlib”.

Qindra vetë dolën në rrugët e qytetit sirian Azaz, me flamuj në duar, më 2 mars, në mbështetje të Turqisë, e cila përmes operacioneve të saj ajrore dhe tokësore, kishte bërë ndërhyrjen më të madhe ndaj luftës civile siriane.

Ushtria turke shtoi praninë e saj në Idlib të Sirisë, pasi ministri i Mbrojtjes vendosi të shkojë më tej me operacionin “Mburoja e pranverës”, inkursioni i 4 turk në Siri në 4 vite.

Rusia nuk do të ndalojë së luftuari terrorizmin në rajonin Idlib të Sirisë, në përpjekje për të zgjidhur krizën e emigrantëve në Europë, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në një konferencë për shtyp më 3 mars. Komentet e tij erdhën pasi emigrantët vazhdonin të mblidheshin në kufirin grek, pasi Turqia tha se nuk do t’i pengojë më refugjatët sirianë, të zhvendosur pas luftimeve në Idlib, e që kërkonin të arrinin në Europë, nga toka dhe deti: “Por, ne nuk mund të asistojmë në zgjidhjen e problemeve të emigrantëve, në përgjigje të luftës kundër terrorizmit, gjë që po sugjerohet nga disa politikanë në Europë”.

Policia ushtarake ruse nisi patrullimet në qytetin sirian të Saraqeb, siç u shfaq edhe në pamjet e publikuara nga media ruse më 3 mars, pasi forcat e qeverisë siriane hynë në disa pjesë të qytetit strategjik të rebelëve. Ofendime e më pas konfrontime fizike plasën në Parlamentin turk në seancën e 4 marsit, gjatë fjalimit të një deputeti opozitar, i cili më herët kishte akuzuar Presidentin Erdoan se kishte treguar mungesë respekti ndaj ushtarëve turq, që ishin vrarë në Siri. Erdoan tha se shpresonte që vendimet që kishte marrë gjatë takimit me homologun e tij Putin gjatë takimit të 5 marsit në Moskë, të mund të lehtësonin situatën në veriperëndim të Sirisë, në rajonin Idlib, ku konflikti kishte përshkallëzuar çdo ditë e më shumë.

Erdoan tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë ishin në pikun e tyre dhe qëllimi ishte që lidhjet mes dy vendeve të thelloheshin. Gjatë takimit të tyre, dy liderët u dakordësun që Turqia dhe Rusia të vendosin një korridor të sigurisë, përgjatë autostradës lindje-perëndim të Idlibit dhe do të ngrihej edhe një njësi patrulle e përbashkët nga 15 marsi, në përpjekje për të lehtësuar tensionet në mbarë rajonin. Të dy palët thanë se korridori i sigurisë do të zgjatej për 6 km në veri dhe 6 km në jug, në autostradë: “Marrëveshja e armëpushimit do të jetë efektive duke nisur nga mesnata. Në përpjekje për ta bërë atë funksionale dhe që të zgjasë, janë të nevojshme të gjithë aksionet, për ta bërë funksionale menjëherë, por mbi të gjitha efikase. Qëllimi ynë është që të parandalojmë përkeqësimin e krizës humanitare në rajon. Ne do të punojmë bashkë për të furnizuar sirianët me çdo ndihmë, pa diskriminim dhe asnjë kusht”.

E teksa Turqia dhe Rusia përpiqeshin të lehtësonin tensionet, Siria përgatitej për t’u përballur me një betejë në një front të ri, teksa pandemia koronavirus po përhapej me shpejtësi në pjesën tjetër të botës. Edhe në shtetin e pushtuar nga lufta për gati 1 dekadë nisën përpjekjet për të frenuar përhapjen e virusit, me rrugët në qytetin verior të Manbij që u dezinfektuan dhe forcat kurde që urdhëruan popullsinë që të qëndrojë në shtëpi. Më 22 mars, autoritetet shëndetësore dhe qeveria raportuan rastin e parë pozitiv me koronavirus, edhe pse raportimet e mëparshme flisnin për përhapje të gjerë të tij, por që qeveria e kishte mbuluar situatën.

Dy anëtarë të dyshuar të shërbimeve të sigurisë pranë Presidentit Bashar Al Assad u akuzuan për torturë dhe krime seksuale nga një gjykatë gjermane më 23 prill, në atë çka avokatët dhe ligjvënësit gjermanë e cilësuan si gjyqi i parë për krime lufte nga agjentë vetë qeverisë siriane.

6 vjet pasi Shteti Islamik nisi vrasjen dhe shfarosjen e yazidëve në veri të Irakut, më 24 prill, në Frankfurt dhe Main të Gjermanisë nisi një tjetër gjyq, ai ku adresohej gjenocid kundër minoritetit fetar. Taha al J nga Iraku doli para gjyqit, i dyshuar për vrasjen e një vogëlusheje 5-vjeçare nga popullsia jazide. Gruaja e tij gjermane doli po ashtu përpara gjyqit, e akuzuar për vrasje.

3 civilë u vranë dhe 4 të tjerë u plagosën në një lagje të Damaskut, pas agresionit izraelit, siç raportoi më 27 prill media shtetërore siriane. Sipas raportit, raketat e Izraelit ranë mbi qytetet Hujayra dhe Adlieh, në perëndim të Damaskut. Agjencia shtetërore e lajmeve SANA më herët raportoi se mbrojtja ajrore siriane kishte interceptuar disa shënjestra armike mbi kryeqytetin Damask.

Së paku 40 civilë u vranë, përfshirë këtu edhe 11 fëmijë, kur një bombë e vendosur mbi një tank shpërtheu më 28 prill në Afrin, qytet në veri të Sirisë. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Mbrojtjes turke, e cila fajësoi për sulmin milicinë kurdo-siriane. Shpërthimi ishte një nga më të fuqishmit dhe më vdekjeprurësit në rajonin e kontrolluar nga forcat turke. Ankaraja vazhdimisht fajëson milicinë për këto sulme, ndërsa milicia thotë se në targetin e saj nuk janë civilët.

Palë kundërshtare në luftën civile siriane janë dakorduar të ulen bashkë në Gjenevë, për të negociuar për Kushtetutën, tha i dërguari special i OKB-së, Geir Pedersen, më 19 maj. Pas konfliktit 9-vjeçar, Pedersen foli për një “qetësi të brishtë” në enklavën e fundit të mbajtur nga rebelët në Idlib, si mundësinë për të ndërtuar besimin. Ai i kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që mbështesnin të dy palët kundërshtare, që të nisnin bisedimet dhe të nisnin procesin e paqes. Ai nuk dha një datë për komitetin kushtetues, e cila edhe këtë nuk shënoi asnjë arritje, ndërsa tha se për këtë çështje mbledhjet “online” nuk janë një opsion: "Menjëherë sapo të na e mundësojë situata pandemike, siç ata janë dakordësuar për të ardhur në Gjenevë, jemi dakordësuar që takimi i radhës do të jetë për këtë çështje. Ju e dini, ne kemi marrë shumë vendime, ndaj shpresoj që sapo koha të na e lejojë, do të takohemi në Gjenevë dhe do të bëjmë një diskutim të mirë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos