Sipas një seri burimesh kryesisht nga Pakistani dhe Afganistani, lideri i organizatës terroriste Al Kaeda, Ayman al-Zawahiri, ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore, pas një sëmundje.
Burimet tregojnë se ngjarja ka ndodhur një muaj më parë, dhe se ceremonitë mortore tashmë ishin kryer.
Shkak mund të jetë një sëmundje e frymëmarrjes, me shumë mundësi astma. Edhe pse nga kanalet informative të organizatës terroriste nuk del një lajm i tillë, sipas analistëve kjo është teknikë e përdorur rëndom nga Al Kaeda, që zyrtarizon vdekjen e liderëve muaj pasi kanë ndodhur.

Egjiptiani me profesion mjek “trashëgoi” organizatën pas vdekjes së Osama Bin Laden në 2011. Gjatë viteve, për shkak të shëndetit të dobët, sulmeve dhe arrestimeve të kuadrove të organizatës nga ana e forcave perëndimore si dhe përballjes të ashpër edhe me organizatat e tjera rivale, si ISIS, Al Zawahiri kishte humbur forcën dhe deri diku prestigjin e dikurshëm.
Vdekja e liderit mund të përfaqësojë shkatërrimin e vetë organizatës, që disa javë më parë në një atentat në Iran, ndoshta nga shërbimet sekrete izraelite, kishte humbur edhe atë që cilësohej si lideri i të ardhmes, Abu Muhammed al-Masri, ndërkohë që djali i Bin Ladenit Hamza, është vrarë në një sulm amerikan vitin e kaluar. (A2 Televizion)