
Prokuroria kërkoi 21 vite burg për Arbër Çekajn, i akuzuari kryesor për trafikimin e 613 kg kokainë kolumbiane në Shqipëri. Ai u ekstradua nga Gjermania, ku ishte arrestuar pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar.
Ndërkohë, janë zbuluar detaje të reja nga hetimi në lidhje me Çekajn. Sipas Prokurorisë, nga këqyrja që i është bërë kompjuterit të shoqërisë “Arbi Garden”, janë rikuperuar biseda në “chat”. Një prej tyre, i përket prillit 2015, kur Arbër Çekaj flet me një shtetas spanjoll.
Çekaj: Më ka ndodhur diçka e keqe. S’më lanë të kthehem.
Shtetasi spanjoll: E di, e di. Je pa faj.
Sipas Prokurorisë, në këtë periudhë në Ekuador është bllokuar një sasi e madhe kokaine, në trafikimin e së cilës dyshohet të ketë qenë përfshirë Arbër Çekaj. (A2 Televizion)