
E gjithë vëmendja te Mike Pence në natën e tretë të Konventës Kombëtare Republikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Do të kemi ligj dhe rend në rrugët e këtij vendi për çdo amerikane të çdo race, besimi dhe ngjyre”, tha Mike Pence, zëvendëspresident i SHBA.
Zëvendëspresidenti shpreson që votuesit t’i bashkohen në mbështetjen e Trump edhe për 4 vite të tjera. “Pak presidentë kanë sjellë më shumë pavarësi, energji dhe përkushtim në atë zyrë”, tha Pence.
Duke pranuar nominimin e partisë, ai iu drejtua Joe Biden dhe bashkëgarueses së tij, Kamala Harris: “Siç presidenti Trump thotë, ku Joe Biden shikon errësirën amerikane, ne shikojmë madhështi amerikane”.
Pence paralajmëroi se dhuna do të përhapet në qytetet amerikane nëse Joe Biden fiton Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e nëntorit.
“E vërteta është se nuk do të jeni të sigurt në Amerikën e Joe Biden”, u shpreh numri dy i Shtëpisë së Bardhë.
Fjalën e morën dhe republikanë të tjerë që sigurisht mbështetën Trump. “Presidenti Trump më ndihmoi të kapërceja një pengesë në botën e politikës duke më lejuar të menaxhoj fushatën e tij deri në përmbylljen e suksesshme”, tha Kellyane Conway, këshilltare e presidentit.
Ndërkohë, Trump do ta pranojë zyrtarisht nominimin në ditën e fundit të konventës në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë. (A2 Televizion)