Korça pa Covid-19, ndërpritet zinxhiri i transmetimit pas 6 javësh

Nga A2 CNN
1 Maj 2020, 12:43 | Aktualitet
Korça pa Covid-19, ndërpritet zinxhiri i transmetimit pas 6

Pas 6 javësh, qyteti i Korçës duket se ka arritur të ndërpresë zinxhirin e transmetimit të virusit të ri korona. Tashmë, ka dy javë që nga rasti i fundit i konstatuar pozitiv me Covid-19, që nuk janë shënuar raste të reja në qytetin juglindor.

Qytetit të Korçës po i rikthehet buzëqeshja. Prej dy javësh në këtë qytet nuk është shënuar asnjë rast pozitiv, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar shërimin edhe të personit të fundit pozitiv me koronavirus. Me sa duket, së shpejti qyteti do të shpallet zonë e gjelbër.

Natyrisht që në këto javë, përveç kufizimeve të lëvizjeve dhe në ditë të caktuara edhe izolimit të plotë, një punë të madhe kanë bërë edhe autoritetet lokale të shëndetit publik, të cilat kanë pasur detyrën kryesore të konstatimit dhe gjurmimit të përhapjes së virusit.

Mikel Llogori, kreu i NJVKSH Korçë, tha: “Fatmirësisht, për momentin ne kemi zero raste dhe Korça është e pastër. Natyrisht që në këtë punë peshën kryesore e kanë pasur grupet epidemiologjike në terren, të cilat kanë bërë gjurmimin e rasteve dhe ia kanë arritur qëllimit. Në Korçë janë bërë mbi 1 000 telefonata dhe rezultati është ky që kemi sot”.

Por, pavarësisht rezultateve, drejtuesi i njësive vendore të kujdesit shëndetësor ka edhe një apel për korçarët: “Gradualisht do t’i kthehemi normalitetit, por një realitet ndryshe, duke respektuar distancimin dhe masat mbrojtëse. Ne do të jemi në krye të detyrës, kësaj radhe për të parë se si do të respektohen masat”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos