Planifikonin sulme në Europë e Amerikë! SHBA ngre akuzë ndaj 3 shtetasve që vepronin në emër të Iranit

Nga Rosalba Bejdo
11 Nëntor 2026, 17:30 | Bota

Planifikonin sulme në Europë e Amerikë! SHBA ngre akuzë ndaj

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar ngritjen e akuzave ndaj tre personave të dyshuar se vepronin në emër të Iranit dhe që, sipas autoriteteve amerikane, kishin kryer ose po planifikonin sulme në SHBA dhe Evropë. Autoritetet amerikane pretendojnë se këta persona kishin lidhje me incidentin e rëndë të ndodhur në shtator pranë bazës ajrore RAF Fairford në Britani, ku ishin të dislokuara edhe forca të armatosura amerikane. 

Njëri prej të dyshuarve, me shtetësi të dyfishtë iraniane dhe irakiane, akuzohet se ka komunikuar me persona të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar nga një burg në Nju Jork, ku ndodhet në pritje të gjykimit për akuza të mëparshme.

Dy personat e tjerë , me shtetësi Irakiane dhe Iraniane, akuzohen se kanë zhvilluar komunikime të ngjashme nga territori i Iranit. Ndërkohë, Iranii ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në incidentin pranë bazës RAF Fairford.

Në Britaninë e Madhe janë arrestuar shtatë persona në lidhje me këtë ngjarje, e cila u bë publike pasi pranë bazës ajrore u raportua prania e disa furgonëve të dyshimtë. Aktakuza i akuzon të tre personat për realizimin ose planifikimin e sulmeve në Evropë,  në emër të një grupi të prezantuar si organizatë e re, me emrin Harakat Ashabal-Yamin al-Islamiya e që përkthehet si Lëvizja Islamike e Njerëzve të Dorës së Djathtë.

Sipas autoriteteve amerikane, ky grup dyshohet se është përdorur si emër për të marrë përsipër ose për të organizuar sulme në Evropë. Departamenti I Drejtësisë thekson se mes 18sulmeve terroriste në pranverën e vitit 2026 për të cilat grupi mori përgjegjësinë në Europë, 7 u kryen në Britaninë e madhe. Sulmet siç thuhet, përfshinë zjarrvënie, lëndë shpërthyese dhe në një rast plagosje të rëndë me thikë të dy hebrenjve.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos