Europa në alarm! 300 shkolla në Itali kërcënohen me bombë, dyshohet për sulm kibernetik

Nga Rosalba Bejdo
11 Nëntor 2026, 17:33 | Bota

Europa në alarm! 300 shkolla në Itali kërcënohen me

Pas supermarketeve, bankave të gjakut, trafikut ajrore dhe transmetuesve televizivw, në shënjestër të kërcënimeve janë vënë shkollat rreth Europës. Rreth 300 shkolla në Itali kanë marrë kërcënime për bombë duke shkaktuar alarm dhe evakuimin e disa institucioneve arsimore. Megjithatë, autoritetet italiane dyshojnë se bëhet fjalë për një sulm kibernetik dhe jo për një rrezik real.

Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, deklaroi për mediat italiane se pas valës së kërcënimeve mund të fshihet një strategji e organizuar, e cila nuk prek vetëm Italinë, por edhe vende të tjera të Evropës.

Mesazhet kërcënuese janë dërguar në shkolla në Romë, Napoli, Firence, Pisa, Trieste, Vicenza dhe qytete të tjera. Si masë paraprake, disa prej ndërtesave u evakuuan, ndërsa pas kontrolleve të para, alarmi u hoq dhe nxënësit u lejuan të rikthehen në klasa.

Situata ka vënë në lëvizje edhe qeverinë italiane. Kryeministrja Giorgia Meloni ka thirrur një takim me ministrat kryesorë dhe drejtuesit e shërbimeve inteligjente.

“Deri në këtë fazë, kontrollet e kryera nuk kanë zbuluar asnjë provë që të sugjerojë ekzistencën e një kërcënimi konkret. Përkundrazi, raportimet duket se janë pjesë e një strategjie që synon të krijojë alarm dhe shqetësim, ndërsa të gjitha hetimet e nevojshme lidhur me këtë çështje janë ende në vijim”, tha Meloni.

Ndërkohë, incidente të ngjashme janë raportuar edhe në Irlandën e Veriut dhe Skoci, ku qindra shkolla kanë marrë mesazhe kërcënuese, të cilat policia i konsideron mashtrime . Disa zyrtarë evropianë dyshojnë se Rusia mund të qëndrojë pas një fushate sabotimi që synon të pengojë jetën e përditshme në vendet evropiane që mbështesin Ukrainën pas pushtimit rus.

Moska i mohon këto akuza dhe i cilëson si një fushatë shpifjesh nga Perëndimi. Edhe Irani është i dyshuar, pasi Franca e akuzoi për një sulm kibernetik që çaktivizoi frigoriferët në qindra supermarket. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos