Koronavirusi, Banka Botërore jep 12 miliardë dollarë

Nga A2 CNN
4 Mars 2020, 14:36 | Bota
Koronavirusi, Banka Botërore jep 12 miliardë dollarë

Banka Botërore do të japë 12 miliardë dollarë ndihma për vendet në zhvillim që po përballen me epideminë e koronavirusit. Në paketën e emergjencës përfshihen kredi me interes të ulët, grante dhe asistencë teknike të cilat do të përdoren për përmirësimin e reagimit ndaj krizës dhe bashkëpunimin me sektorin privat për të reduktuar impaktin në ekonomi.

Ky hap ndërmerret mes shqetësimeve se ngadalësimi si pasojë e situatës me koronavirusin mund t’i zhysë vendet në recesion. Banka Botërore tha se prioritet do të kishin vendet më të varfra dhe më të rrezikuara.

Autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 92 mijë raste dhe mbi 3 mijë viktima nga virusi Covid-19 në të gjithë botën, shumica e të cilëve në Kinë. Shteti ku pati zanafillën epidemia ka shënuar rënie të infeksioneve dhe vdekjeve të reja.

Pas Kinës, me e prekura vazhdon të jetë Koreja e Jugut me mbi 5300 raste dhe 33 viktima. Irani ka liruar përkohësisht më shumë se 54 mijë të burgosur në përpjekjen për të luftuar përhapjen e virusit në burgjet e tejmbushura. Vendi ka raportuar 77 viktima në më pak se dy javë. Alarmi është shtuar në SHBA, ku të prekurit kanë shkuar në rreth 120 ndërsa viktimat 9, të gjithë në shtetin e Uashington. Gjithashtu, Spanja konfirmoi viktimën e parë nga virusi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos