Rritet bilanci i viktimave në Itali, OBSH jep alarmin për mungesën e mjeteve mbrojtëse

Nga A2 CNN
3 Mars 2020, 22:16 | Bota
Rritet bilanci i viktimave në Itali, OBSH jep alarmin për

Vijon të rritet me ritme shumë të larta bilanci i viktimave dhe personave të prekur nga koronavirusi i ri Covid-19 në Itali. Autoritetet kanë deklaruar se në mbrëmjen e së martë numri i personave që kanë humbur jetën nga virusi me origjinë nga Kina ka arritur në 79 ndërsa i atyre që janë infektuar në 2263.

Të dhënat u bënë publike nga komisari i Mbrojtjes Civile, Angelo Borelli i cili shton se numri i të shëruarve deri tani ka arritur në 160, ekzaktësisht 11 më shumë nga një ditë më parë.

Duke qenë se shifrat nuk janë aspak premtuese qeveria italiane vendosi të pezullojë për 30 ditë të gjitha aktivitetet, manifestimet, përfshirë këtu ndeshjet e sportit për të parandaluar grumbullimet e mëdha të njerëzve që do të çonin në përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

Si për të thelluar dhe më tej situatën e rëndë, një alarm i ri vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila paralajmëron se janë duke u ezauruar të gjitha furnizimet me mjetet e nevojshme për mbrojtjen personale të mjekëve dhe njerëzve për shkak të rritjes së kërkesës.

Sipas drejtorit të OBSH-së, Tedros Ghebreyesus në shumë vende po raportohen mungesa në dorashka, mjete respiratore, syze mbrojtëse, maska etj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos