
Aleatët e presidentit Donald Trump, të mërkurën, iu afruan një territori që dikur dukej i paimagjinueshëm: fajësimit të vetë presidentit.
Kjo shprehje e pazakontë e sinqeritetit erdhi pas humbjeve dërrmuese të republikanëve (GOP) në të gjithë vendin, një refuzim i presidentit që përputhej me disa nga frikërat më të mëdha të partisë.
Disa fajësuan luftën me Iranin dhe ndikimin e saj në çmimet e karburantit dhe të produkteve ushqimore. Të tjerë vunë në dukje sjelljen e presidentit.
“Brenda Partisë Republikane ka nisur një lloj përballjeje me realitetin lidhur me drejtimin që duhet të marrë partia”, tha Matt Dole, kryetar i Partisë Republikane në kontenë Licking të Ohajos, një zonë tradicionalisht shumë konservatore.
“Mendoj se do të shihni një pjesë të Partisë Republikane që do të kërkojë rikthimin në normalitet. Kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga ideologjia dhe politikat e Trumpit, por të distancohesh nga stili i tij”.
“Tingëllon paksa ironike”, i tha POLITICO-s Bobby Charles, kandidati republikan i pasuksesshëm për postin e guvernatorit të shtetit Maine. “Por, megjithatë, jam optimist për të ardhmen, sepse Trumpi do të largohet pas dy vitesh”.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Këshilltari i Trumpit, Alex Bruesewitz, ia atribuoi performancën e dobët të republikanëve kandidatëve, të cilët i përshkroi si “jo frymëzues, dembelë dhe krejtësisht të paaftë për të komunikuar në mënyrë efektive”.
(A2 Televizion)