Të paktën 18 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 40 të tjera janë shpallur të zhdukur në Brazil si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që sollën përmbytje dhe rrëshqitje dherash në shtetet e Sao Paulos dhe Rio de Janeiros.
Një operacion i madh kërkim-shpëtimi ka nisur në zonat më të prekura ndërkohë pritet që bilanci i viktimave të shtohet më tej, në orët në vijim.
Zona më e prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave është ajo e Sao Paulos, ku deri tani raportohen 13 viktima. Mes personave që kanë humbur jetën ka gra dhe fëmijë, dhe madje dhe 2 zjarrfikës, që u zunë poshtë nga balta ndërsa përpiqeshin të shpëtonin një fëmijë.
Në rajonin e Guarujas shumë shtëpi janë shkatërruar totalisht si pasojë e rrëshqitjes së dherave, ndërkohë që janë bllokuar dhe akset kryesore rrugore.
Sipas ekspertëve reshjet mesatare të një muaji ranë në këto dy shtete brenda një harku kohor prej disa orësh.
Në janar, të paktën 30 persona humbën jetën nga stuhitë e fuqishme në shtetin e Minas Gerais në Brazil, i cili kufizohet me Sao Paulon. (A2 Televizion)