Komuniteti i biznesit i kanë paraqitur zyrtarisht Ministrisë së Financave një listë kërkesash. Grupime të ndryshme të sipërmarrjes, veçanërisht biznesi i vogël dhe i mesëm që janë më të ndjeshëm ndaj këtyre situatave kërkojnë që qeveria të hartojë një paketë masash lehtësuese për kapërcimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.
Më konkretisht, kërkojnë shtyrjen e pagesave, gjobave si dhe detyrimeve të tjera ndaj shtetit deri në përfundim të krizës së shkaktuar nga Covid-19. Pjesë e kërkesave të tyre është edhe rimbursimi i plotë i pagës së punonjësve, si dhe detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të tyre.
Sipërmarrja kërkon ndër të tjera shtyrje të pagesave të energjisë elektrike, ujit si dhe taksave të tjera vendore. Përjashtimi nga taksa e pronës si dhe shtyrja e deklarimit të bilanceve janë po ashtu disa nga kërkesat e tjera të biznesit drejtuar qeverisë.
Operatorët turistikë nga ana tjetër kanë kërkuar reagim të menjëhershëm nga qeveria. Ata kërkojnë pezullim të pagesës së tatim-fitimit për një periudhë 3-mujore si dhe subvencionim të pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore për 3 deri në 6 muaj.
Për të shmangur pasojat e rënda me të cilat mund të përballet turizmi, operatorët kërkojnë gjithashtu reduktim të taksave vendore dhe shtyrje të afatit të pagesës së tyre deri në fund të muajit Qershor. Ndërkaq, ndër të tjera bëjnë apel për grante dhe kredi me 0% interes.
Më herët edhe shoqata e prodhuesve ka paraqitur disa kërkesa që përfshijnë që nga mosbllokimi i industrisë prodhuese, shtyrje të taksave dhe tarifave me të paktën një muaj si dhe ndërprerjen e inspektimeve gjatë kësaj periudhe. (A2 Televizion)