
Aktet e miratuara nga qeveria janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kështu deklaroi kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat nga kryesia e kuvendit. Ai bëri të ditur se PD ka depozituar në Gjykatën kushtetuese kërkesën për shfuqizimin dhe pezullimin e tre akteve deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes.
Përveç kërkesës për shfuqizimin e tre akteve, Bardhi tha se grupi parlamentar ka kërkuar edhe interpelancë me drejtorin e Policisë së shtetit Skënder Hitaj. Sipas tij kjo nismë nuk synon t’u japë imunitet personave që shkelin ligjin, por sipas tij, të mbrojë Kushtetutën dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
“Në një shtet demokratik rendi nuk mund të vendoset kundër lirive themelore. Siguria nuk mund të përdoret si justifikim për arbitraritet. Ajo që kemi përpara nuk është një ndërhyrje e izoluar ligjore. Janë 3 akte që krijojnë një mekanziëm antikushtetues e arbitrar. Grupi ynë parlamentar ka vendosur të ndërmarrë dy akte, përveç kërkesës për shfuqizimin e tre akteve që kemi depozituar, edhe thirrjen në një seancë llogaridhënie të Skënder Hitajt për abuzim me detyrën, duke ndaluar dhe gjobitur qytetarë që protestojnë si edhe për dhunë e paprecedentë që policia ka ushtruar në 3 javë ndaj qytetarëve".
Deklarata e plotë e Gazment Bardhit
Të dashur qytetarë,
E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare. Ajo nuk mund të cenohet, të intimidohet apo të shuhet përmes dhunës policore, shoqërimeve të paligjshme në komisariate apo vendosjes së gjobave në kundërshtim me ligjin. Çdo përpjekje për të penguar qytetarët në ushtrimin e kësaj të drejte përbën një cenim të papranueshëm të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Sot jemi këtu për të bërë publik një qëndrim të qartë politik dhe kushtetues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike përballë një përpjekjeje të qeverisë për të vendosur nën kontroll të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve.
Kemi depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 5/2026, Aktit Normativ nr. 6/2026 dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, datë 28 tetor 2026, si dhe për pezullimin e zbatimit të tyre deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Kjo nuk është një përpjekje për t'i dhënë imunitet askujt që shkel ligjin. Dhe nuk është një kundërshtim ndaj detyrimit të shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Është një betejë për të mbrojtur Kushtetutën nga një qeveri që, në mënyrë të rreme, gjoja në emër të rendit publik, kërkon të zgjerojë kompetencat e veta përtej kufijve kushtetues, me një qëllim, të shuaj më dhunë zërin e qytetarëve, të asgjesojë në praktikë një të drejtë kushtetuese, të drejtën për të protestuar.
Sepse në një shtet demokratik, rendi publik nuk mund të vendoset kundër lirive themelore. Siguria nuk mund të përdoret si justifikim për arbitraritetin. Dhe pushteti nuk mund të vendosë vetë se cilat të drejta mund të ushtrojnë qytetarët dhe cilat duhet t'u hiqen.
Ajo që kemi sot përpara nuk është një ndërhyrje e izoluar ligjore. Janë tri akte që, të marra së bashku, krijojnë një mekanizëm të papranueshëm, antikushtetues dhe arbitrar, për kufizimin e protestës, ndëshkimin e organizatorëve dhe kontrollin e qytetarëve që përfshihen në tubime.
Dhe për këtë arsye, Grupi Parlamentar i Partia Demokratike ka vendosur të kryejë dy akte:
1. Kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e të tre akteve të miratuara nga Qeveria për protestat.
2. Thirrjen në një seancë llogaridhënie në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për abuzimin e rëndë me detyrën, duke ndaluar e gjobitur qytetarë që protestojnë paqësisht, si dhe për dhunën e paprecedentë që Policia e Shtetit ka ushtruar në 3 javë ndaj qytetarëve që protestojnë.
Ne shpresojmë që Gjykata Kushtetuese jo vetëm do të mbrojë Kushtetutën, por këtë mbrotje do ta jap në një kohë të shkurtër dhe me urgjencën që dikton ky rast.
3. Aktet e miratuara nga Qeveria janë haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Së pari, Akti Normativ nr. 5/2026.
Ky akt i jep Policisë së Shtetit kompetenca që prekin drejtpërdrejt të drejtën kushtetuese të qytetarëve për t'u mbledhur dhe protestuar.
Me këtë akt, Policia mund të ndalojë ose kufizojë tubime në perimetra të caktuar, për periudha që mund të arrijnë deri në 72 orë dhe të përsëriten. Pra, një e drejtë themelore e qytetarëve vihet nën një regjim kufizimesh administrative, me pasoja të drejtpërdrejta për ushtrimin e saj.
Por problemi nuk përfundon këtu. Akti i jep Policisë edhe kompetencën për të urdhëruar largimin e një personi nga një zonë e caktuar deri në 48 orë.
Dua të ndalem këtu, sepse kjo është një çështje thelbësore.
Në Shqipëri, masat që kufizojnë lirinë personale nuk mund të vendosen sipas vullnetit të një organi administrativ. Kushtetuta dhe ligji kanë përcaktuar kompetencat e gjykatës dhe garancitë që duhet të respektohen përpara se të merret një masë që prek lirinë e individit.
Nuk mund të jetë e pranueshme që Policia të marrë kompetenca që, për nga natyra dhe pasojat e tyre, i përkasin pushtetit gjyqësor.
Nuk mund të pranojmë që një qytetar të largohet nga një zonë, të kufizohet në lëvizjen e tij dhe të përballet me pasoja të tilla pa garancitë e nevojshme procedurale dhe pa kontroll efektiv gjyqësor.
Policia duhet të zbatojë ligjin. Nuk mund të jetë njëkohësisht polici, prokurori dhe gjykatë.
Një tjetër element jashtëzakonisht shqetësues i këtij akti është kompetenca për të kërkuar fshirjen e përmbajtjeve në rrjetet sociale dhe në hapësirën online, kur ato konsiderohen nxitëse të dhunës.
Askush nuk mund të jetë kundër ndëshkimit të nxitjes së vërtetë dhe konkrete të dhunës. Por kush e përcakton kufirin midis nxitjes së dhunës dhe kritikës politike? Kush garanton që një qëndrim kundër qeverisë, një thirrje për protestë apo një kritikë e fortë ndaj pushtetit të mos trajtohet si përmbajtje e ndaluar?
Kur ligji nuk përcakton qartë kufijtë e kësaj kompetence dhe nuk garanton mekanizma efektivë ankimi, atëherë hapet rruga për abuzim.
Për pasojë, këto dispozita cenojnë lirinë e shprehjes dhe krijojnë një efekt frikësues mbi qytetarët.
Qytetarët duhet të kenë të drejtën të flasin, të kritikojnë dhe të protestojnë. Nuk mund të jetojmë në një vend ku njerëzit duhet të mendojnë dy herë përpara se të publikojnë një qëndrim politik, nga frika se mund të përballen me masa administrative ndëshkuese.
Një qeveri që nuk duron kritikën, nuk mund ta zgjidhë këtë problem duke kufizuar lirinë e shprehjes.
Së dyti, Akti Normativ nr. 6/2026.
Me këtë akt, qeveria ka ndërtuar një mekanizëm që rrezikon të vendosë përgjegjësi kolektive për veprimet e individëve. Akti parashikon përgjegjësi solidare për dëmet e shkaktuara gjatë tubimeve, duke krijuar mundësinë që përgjegjësia të shtrihet edhe te organizatorët dhe organizatat.
Kjo është një ndërhyrje me pasoja të rënda për demokracinë.
Sepse një protestë organizohet nga qytetarë, parti politike, organizata apo sindikata, por kjo nuk do të thotë se organizatori mund të mbajë automatikisht përgjegjësi për çdo veprim të kryer nga çdo person që merr pjesë në të.
Ne kemi dëgjuar nga Kryeministri se përgjegjësia në një shtet të së drejtës është individuale. Ajo duhet të provohet. Duhet të mbështetet në veprime konkrete dhe në një lidhje të përcaktuar ligjërisht midis personit dhe dëmit të shkaktuar. Mirëpok y parim nuk mund të vlejë vetëm për korrupsionin qeveritar, nuk mund të jetë i zbatueshëm vetëm për Edi Ramën, sa herë në rrjetën e drejtësisë dhe përgjegjësisë bie një bashkëpunëtor i tij. Ky parim mbi të gjitha është i zbatueshëm për qytetarin e zakonshëm.
Nuk mund të ndëshkosh një organizatë për veprimin e një personi tjetër. Nuk mund të vendosësh mbi organizatorët barrën e veprimeve që nuk i kanë kryer, nuk i kanë urdhëruar dhe nuk i kanë nxitur.
Nëse pranohet ky parim, atëherë çdo organizatë, çdo sindikatë, çdo parti politike dhe çdo grup qytetar do të duhet të mendohet mirë përpara se të thërrasë një protestë. Jo për shkak se nuk ka arsye për të protestuar, por sepse qeveria i ka vendosur mbi kokë kërcënimin e një përgjegjësie financiare për veprimet e të tjerëve.
Ky është një mekanizëm që mund të dekurajojë organizimin e protestave dhe pjesëmarrjen qytetare. Dhe kjo është pikërisht ajo që një demokraci nuk duhet të lejojë.
Ne jemi për kompensimin e çdo dëmi. Jemi për përgjegjësinë e atij që shkatërron pronën publike apo private. Jemi për ndëshkimin e kujtdo që kryen vepra penale. Por jemi kundër përgjegjësisë kolektive. Jemi kundër ndëshkimit pa prova. Jemi kundër përdorimit të kompensimit të dëmeve si instrument për të frikësuar organizatorët e protestave.
Po kështu, kemi kundërshtuar edhe parashikimet që mundësojnë vendosjen e gjobave në rrethana kur përgjegjësia penale nuk është përcaktuar përfundimisht nga gjykata. Në një shtet të së drejtës, arrestimi nuk është fajësi. Dyshimi nuk është dënim. Dhe askush nuk mund të trajtohet si fajtor përpara se fajësia e tij të provohet sipas ligjit nga gjykata. Ky është parimi i prezumimit të pafajësisë. Nuk është një formalitet. Është një nga garancitë themelore të qytetarit përballë shtetit.
Së treti, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 815/2026.
Ky vendim krijon një regjistër të posaçëm për persona të lidhur me procedime ose hetime penale për vepra të kryera në kuadër të tubimeve.
Edhe këtu problemi është i qartë: qeveria krijon një mekanizëm që mund të prodhojë pasoja serioze për qytetarët, ndërkohë që ngrihen pikëpyetje të rëndësishme për bazën e tij ligjore, për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për garancitë që duhet të shoqërojnë një ndërhyrje të tillë.
Një person ndaj të cilit është referuar nga Policia e Shtetit një procedim penal nuk mund të trajtohet sikur ka një vendim fajësie. Ky regjistër, për shkak të mënyrës se si parashikohet të funksionojë dhe të informacionit që mund të shpërndahet, rrezikon të prodhojë pasoja përtej vetë procedimit penal.
Vendimi parashikon shkëmbimin e informacionit me autoritetet e vendeve të destinacionit dhe me operatorë privatë të akomodimit.
Po flasim për të dhëna personale të qytetarëve. Po flasim për informacion që mund të ndikojë në mënyrën se si ata trajtohen nga institucione të tjera dhe subjekte private.
Dhe më shqetësuesja, ky mekanizëm mund të çojë deri në refuzimin e daljes së një personi nga territori i Republikës së Shqipërisë, edhe kur ndaj tij nuk ekziston një masë sigurimi e vendosur nga gjykata që kufizon lëvizjen.
Kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt lirinë e lëvizjes. Nuk mund të krijohet një kufizim i tillë përmes një regjistri administrativ, pa një bazë të qartë ligjore dhe pa respektuar garancitë kushtetuese.
Në një shtet demokratik, qeveria nuk mund të krijojë një kategori qytetarësh që, për shkak se janë nën hetim apo janë përfshirë në një procedim, të trajtohen si persona të dyshuar përgjithmonë. Hetimi nuk është fajësi. Regjistrimi nuk është dënim. Dhe qeveria nuk mund të zëvendësojë vendimin e gjykatës.
Të nderuar qytetarë,
Kur ndërhyhet në lirinë e tubimit, në lirinë e shprehjes, në lirinë personale, në të drejtën e pronës dhe në lirinë e lëvizjes, standardi kushtetues duhet të jetë edhe më i lartë.
Qeveria nuk mund të thotë thjesht se ka urgjencë. Ajo duhet ta provojë urgjencën. Duhet të tregojë pse nuk mund të ndiqte procedurën normale ligjvënëse dhe përse ndërhyrja ishte e domosdoshme. Pushteti ekzekutiv nuk mund të përdorë mekanizma të jashtëzakonshëm për të krijuar kufizime të jashtëzakonshme ndaj qytetarëve.
Dhe dua ta them qartë: Grupi Parlamentar i Partia Demokratike nuk po i kërkon Gjykatës Kushtetuese të zgjedhë mes qeverisë dhe opozitës. Po i kërkon të zgjedhë mes respektimit të Kushtetutës dhe cenimit të saj. Po i kërkojmë të mbrojë të drejtat e çdo qytetari.
Sepse sot mund të jetë një qytetar që proteston kundër qeverisë. Nesër mund të jetë një sindikatë që kërkon të drejtat e punëtorëve. Pasnesër mund të jetë një organizatë që kundërshton një vendim të pushtetit vendor. Dhe në çdo rast, të drejtat kushtetuese duhet të jenë të njëjta. Një demokraci nuk mund të funksionojë nëse qytetari duhet të kërkojë leje nga pushteti për të qenë kritik ndaj tij.
Nuk mund të ketë liri pa të drejtën për të kundërshtuar. Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur organet ekzekutive marrin kompetenca që Kushtetuta ua rezervon organeve gjyqësore.
Për këtë arsye, ne i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e të tria akteve dhe pezullimin e zbatimit të tyre deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Po kështu, anëtarët e opozitës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut kanë kërkuar zyrtarisht që të thirret për të dhënë llogari për shkeljen e ligjit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hitaj. Ai duhet të përgjigjet përpara Kuvendit për përdorimin e Policisë së Shtetit si Polici të Partisë dhe Pushtetit.
Dhe dua ta mbyll me disa mesazhe të qartë.
Qeveria duhet ta kuptojë se nuk mund ta luftojë kundërshtimin qytetar duke kufizuar të drejtat e qytetarëve. Nuk mund ta mbrojë rendin publik duke dobësuar shtetin e së drejtës. Nuk mund të pretendojë se mbron demokracinë, ndërkohë që krijon mekanizma që i bëjnë qytetarët të kenë frikë të protestojnë, të flasin dhe të kundërshtojnë.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka përdorur dhe do të përdorë çdo instrument kushtetues dhe ligjor për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore. Sepse këto të drejta nuk i përkasin partive politike. Nuk i përkasin opozitës. Nuk i përkasin asnjë qeverie. Ato u përkasin qytetarëve.
Kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt mënyrën se si funksionon demokracia dhe marrëdhënien mes qytetarit dhe pushtetit. Ne po mbrojmë të drejtën e qytetarëve për t'u mbledhur dhe protestuar në mënyrë paqësore.Po mbrojmë të drejtën për të shprehur mendimin, për të kritikuar qeverinë dhe për të kundërshtuar politikat publike pa frikën e masave arbitrare. Dhe mbi të gjitha, po mbrojmë parimin se asnjë pushtet nuk qëndron mbi Kushtetutën.
Protesta paqësore është një nga format më të rëndësishme të pjesëmarrjes qytetare në një demokraci. Ajo nuk mund të trajtohet si problem që duhet eliminuar, por si një e drejtë që shteti ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë.
Të drejtat kushtetuese nuk janë privilegj që jepet nga qeveria. Ato nuk varen nga bindjet politike të individit, nga fakti nëse ai mbështet apo kundërshton pushtetin, dhe as nga fakti nëse zgjedh të marrë pjesë në një protestë.
Dhe në përfundim, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve të Shqipërisë që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe publik ndaj këtyre praktikave, të cilat bien ndesh me standardet demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër të respektojë. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore nuk mund të jetë çështje e interesave politike apo e rrethanave të momentit.
Heshtja përballë cenimit të lirive themelore nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të kthehet në mbështetje të heshtur për abuzimin me pushtetin. Në një demokraci, zëri i qytetarit nuk shuhet me dhunë, nuk frikësohet me gjoba dhe nuk ndalet me shoqërime policore. E drejta për të protestuar duhet të garantohet, jo të ndëshkohet.
Faleminderit!
(A2 Televizion)