
Ekonomia shqiptare do të shohë një ngadalësim të ndjeshëm gjatë këtij viti për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit dhe shpërthimit të koronavirusit në vend.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në përfundim të misionit të tij, tha në një deklaratë zyrtare se këto dy faktorë shihen si rreziqet kryesore që do të dobësojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Turzimi është sektori që do të preket më shumë, sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas goditjes që mori nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Misioni i FMN apelon për transparencë të shtuar gjatë zbatimit të programit të rindërtimit, duke iu dhënë prioritet familjeve më të prekura nga tërmeti. Po ashtu, cilëson si domosdoshmëri ndërmarrjet e politikave të menjëhershme për mbrojtjen e qytetarëve nga Covid 19.
Ndërkaq, për përmirësimin e situatës së krijuar nga koronavirusi, FMN i bën apel qeverisë që të ndërtojë politika fiskale më të qëndrueshme, veçanërisht në drejtim të uljes së borxhit publik, i evidentuar herë pas here nga institucioni ndërkombëtar financiar si shqetësim i madh për ekonominë e vendit.
Kujdes të shtuar FMN-ja ka kërkuar edhe për zbatimin e amnistisë fiskale, propozim i bërë publik nga qeveria vetëm pak ditë më parë, duke shtuar se nevojitet një sistem efektiv për të zbuluar evazionin. (A2 Televizion)