Koronavirusi gjunjëzon ekonominë, Draghi: Recesioni i pashmangshëm, duhet të mobilizohemi

Nga A2 CNN
28 Mars 2020, 19:57 | Bota
Koronavirusi gjunjëzon ekonominë, Draghi: Recesioni i

Pandemia koronavirus është një tragjendi njerëzore me përmasa globale, e cila po gjunjëzon edhe ekonominë. Përballë kësaj lufte pa afat, ekonomia e ka të pashmangshme recesionin. 

Paralajmërimi vjen nga ish-Presideni i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, në një opinion për median prestigjioze “Financial Times”.  

Teksa pohon se efektet e Covid-19 do të jenë katastrofike, Draghi deklaron se sfida me të cilën po përballen qeveritë është kapërcimi i situatës me shpejtësi për të frenuar një zgjatje të recesionit, i cili mund të lërë pas dëme të pakthyeshme. 

Veprimet e qeverive për të parandaluar këtë pandemi, sipas tij, janë të guximshme dhe tepër të domosdoshme, të cilat shoqërohen me kosto marramendëse, çka do të sjellë pashmangshmërisht edhe rritje të borxhit publik. 

“Nivelet shumë të larta të borxhit publik do të bëhen një tipar i përheshëm i ekonomive tona. Është roli i shtetit të vendosë balanca për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë nga goditjet për të cilat sektori privat nuk është përgjegjës. Shtetet e kanë bërë gjithmonë këtë përballë emergjencave kombëtare”, deklaron Draghi.

Ndërsa vlerëson si hapa të domosdoshëm paketat ekonomike për bizneset dhe individët, Draghi deklaron se në këtë periudhë krize nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse. Për të, kreditë e buta apo thjeshtimi i procedurave për marrjen e tyre do të lehtësonte ndjeshëm sipërmarrjen, duke i bërë bankat një aktor mjaft të rëndësishëm në kapërcimin e kësaj situate. 

“Disa sektorë mund të goditen më fort se të tjerët. Shumë prej kompanive mund të kapërcejnë këtë krizë dhe të rrisin borxhin për të mbajtur në punë stafin. Por, humbjet e akumuluara rrezikojnë të dëmtojnë aftësinë e tyre për të investuar më pas”, shpjegoi Draghi.

Sipas Draghit, Europa i ka kapacitetet e mjaftueshme për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme, pasi, sipas tij, falë strukturës financiare është në gjendje të kanalizojë drejt fondet në çdo sektor të ekonomisë që i nevojitet. Por, shpejtësia është absolutisht thelbësore për efektivitetin, thekson ai ndër të tjera, teksa shton se kostoja e hezitimit është thjesht e pakthyeshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos