Bilanci italian: 889 persona humbën jetën në 24 orët e fundit

Nga A2 CNN
28 Mars 2020, 18:14 | Bota
Bilanci italian: 889 persona humbën jetën në 24 orët e

Italia po kalon një periudhë tepër të zymtë nga pandemia koronavirus. 889 viktima u shënuan gjatë 24 orëve të fundit, shifër që mbetet tepër e lartë me një përmirësim të lehtë krahasuar me një ditë më parë.

Në total, mbi 10 000 persona kanë humbur jetën nga Covid-19, një rekord tepër tragjik për vendin fqinj. Është ulur paksa numri i rasteve të reja, duke i dhënë pak shpresë autoriteteve italiane për një përmirësim të mundshëm. Bilanci i të prekurve në total flet për mbi 90 mijë të infektuar, prej të cilëve më shumë se 11 mijë pacientë janë shëruar. Përballë ekonomisë që zhytet në një krizë pa fund, ish-kryeministri Matteo Renzi bëri thirrje për një kthim në normalitet në javën e parë të Prillit.

Megjithatë, autoritetet qëndrojnë me këmbë në tokë. “Nëse shohim të dhënat e fundit, mendoj se data 3 prill është shumë shpejt për të rihapur gjithçka”, u shpreh për mediat ministrja e Brendshme, Luciana Lamborgese. Këtë qëndrim e mbështetën dhe virologët në shtetin fqinj, të cilët kërkojnë që të tregohet kujdes në këtë krizë shëndetësore. Ekspertët theksojnë se për një përmirësim të konsiderueshëm duhet pritur fundi i muajit prill dhe pastaj të mendohet për rihapjen e bizneseve dhe kthim në përditshmërinë normale.

Qeveria italiane ka shtuar dhe kontrollet në kufijtë e saj. Çdokush që mbërrin në vend duhet të specifikojë arsyet e vizitës dhe banesën ku do të qëndrojë, sigurisht në izolim. Ndërkohë, vazhdojnë problemet në sistemin shëndetësor për shkak të mbipopullimit nga të infektuarit e shumtë që kanë nevoje për përkujdesje. Në ndihmë i ka ardhur dhe Gjermania që ka pritur disa pacientë me Covid-19, për t’i trajtuar në strukturat e saj mjekësore. Për të shtuar kapacitetin e kundërpërgjigjes në këtë emergjencë, Italia ka porositur dhe 370 respiratorë nga Hong Kongu, që duhet të mbërrijnë shumë shpejt në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos