Koronavirusi në Itali, Conte: S’ka masa të reja, respektoni ato në fuqi

Nga A2 CNN
16 Mars 2020, 13:38 | Bota
Koronavirusi në Itali, Conte: S’ka masa të reja, respektoni ato

Përkeqësimi i bilancit të viktimave dhe të infektuarve me koronavirus, nxiti italianët që të kërkojnë masa sigurie dhe më të ashpra. Shqetësimeve të tyre iu përgjigj vetë kryeministri, Giuseppe Conte. “Për të parë rezultatet e vendimeve të qeverisë në luftën kundër koronavirusit duhet të presim disa javë”, u shpreh kreu i ekzekutivit, duke shtuar se nuk do të ketë masa të reja sigurie dhe bëri thirrje që të respektohen ato që janë në fuqi. Conte lëshoi dhe një apel të ri: ushtrimet sportive lejohen, por ndalohet vrapimi në grupe.

Ndërkohë, për të frenuar përhapjen e Covid-19, qeveria italiane vendosi dhe kufizimin e transportit brenda vendit. Kryesisht është pezulluar lidhja me Siçilinë, ku nuk lejohen udhëtimet hyrëse dhe dalëse të qytetarëve.

Dhe për të gjithë ata që ende nuk e kanë kuptuar seriozitetin e situatës, vjen ky video mesazh i një pacienti të infektuar me Covid-19. “Virusi ka hyrë në trupin tim dhe ndërkohë ka vrarë babin tim. Ai hyn brenda teje, të pushton, të godet mushkëritë dhe rrugët respiratore”, Gianni Zampino, i infektuar me Covid-19.

Italia po kalon një situatë të vështirë dhe në sistemin e shëndetësisë. Krevatet në reanimacion po mbarojnë, ndërsa të infektuarit sa vijnë e shtohet. Gjithashtu mungojnë dhe pajisjet e sigurisë për mjekët dhe infermierët, si maska dhe doreza. Italia përbën 30% të bilancit total të viktimave në të gjithë botën të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos