Koronavirusi në SHBA, Trump: Mund të zgjasë deri në gusht, rrezik recesioni

Nga A2 CNN
17 Mars 2020, 16:00 | Bota
Koronavirusi në SHBA, Trump: Mund të zgjasë deri në gusht,

Më në fund, edhe Shtetet e Bashkuara po e marrin seriozisht rrezikun nga koronavirusi. Për herë të parë, presidenti Donald Trump pranoi se situata nuk është nën kontroll, dhe tha se pandemia në Shtetet e Bashkuara mund të zgjasë deri në muajin korrik ose gusht.

Pesimist si asnjëherë tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi për një recesion të mundshëm, çka mund të minojë edhe shanset e tij për t’u rizgjedhur në muajin nëntor. “Po, mund të kemi recesion. Por tani duhet të mendojmë jo nga këndvështrimi i recesionit, por ai i virusit. Pasi e gjitha kjo të përfundojë mendoj se do të shohim lëvizje të jashtëzakonshme”, tha Trump.

Deklarata e tij shkaktoi panik të menjëhershëm në tregjet financiare. Wall Street u mbyll me një tkurrje si kurrë më parë në 30 vitet e fundit. Përballë bilancit të ri prej të paktën 4 mijë të infektuarish dhe 70 viktimash, presidenti amerikan udhëzoi qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të mos shkojnë në bare, restorante e palestra. “Jemi në një pikë kritike e mund të bëhemi shpejt si Italia”, vijoi më tej Trump.

Alarm i përsëritur edhe nga guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo, i cili po përballet me situatën më të rëndë në të gjithë vendin, me mbi 1 mijë të prekur dhe 7 viktima. Jeta në Nju Jork dhe Los Anxhelos, qytetet më të prekura nga pandemia, është ndalur. Kinematë, teatrot, palestrat dyqanet dhe baret kanë ulur qepenat. Restorantet po punojnë vetëm për porosi qe merren me vete apo dërgesa në shtëpi. Nju Jorku mbyll edhe simbolin e tij, Statujën e Lirisë, ndërsa Las Vegas mbylli dritat e kazinove më të famshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos