Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një letër me propozime ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për përballimin e situatës së krijuar në javët e fundit me pandeminë në vendin tonë.
Propozimet drejtuar ministres Manastirliu, vijnë pas takimit që kreu i shtetit zhvilloi me një grup ekspertësh të shëndetit publik dhe mjekë, ku qeveria u përfaqësua nga zv.ministri Albert Nikolla.
Pasi u njoh me shqetësimet dhe mendimet e ekspertëve për situatën aktuale, presidenti Meta i dërgoi disa propozimet Ministrisë së Shëndetësië.
Mes propozimeve kryesore Ilir Meta kërkon nga Manastirliu futjen sa më shpejt në përdorim të testeve analitikë të shpejtë, kthimin e disa spitaleve rajonale në spitale Covid, futjen në sistemin shëndetësor të pajisjes ECMO dhe një çmim favorizues për testet Covid.
Gjithashtu Kreu i Shtetit propozon shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve njerëzore në këtë situatë dhe pëshpejtimin e procedurave të licencimit të mjekëve.
Në fund Presidenti i Republikës kërkon që dhe vendimet që merren nga qeveria nëpërmjet Komitetit Teknik të Ekspertëve të argumentohen që të jetën bindëse për opinionin publik. (A2 Televizion)