
Spanja ka raportuar edhe 605 viktima të tjera në 24 orët e fundit nga koronavirusi në vend. Shifër më e ulët se e një dite më parë, ku ishin raportuar 683 viktima dhe gjithashtu më e ulëta që prej 24 marsit, raportojnë mediat spanjolle. Sipas të dhënave të shëndetësisë në total, mbi 15800 vetë kanë humbur jetën, ndërsa të infektuarit janë rreth 157 mijë.
Tjetër sinjal pozitiv është se rastet e reja vazhdojnë të jenë në rënie, ndërsa në 24 orët e fundit rritja e të infektuarve ishte vetëm 3%. Edhe numri i personave të shtruar në spital po bie, dhe stafi mjekësor ka filluar të marrë frymë. Këshilli i Ministrave mblidhet disa orë pasi kongresi miratoi zgjatjen e periudhës së izolimit deri në 26 prill.
Kryeministri Pedro Sanchez është i bindur se do të kërkojë një tjetër zgjatje me 15 ditë, pra deri në 10 maj, çka sipas kritikëve mund të rezultojë fatale për ekonominë në buzë të greminës.
Edhe Franca raporton të dhëna pozitive sa i përket pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv, për të herë të parë që prej shpërthimit të pandemisë. E megjithatë, shqetësuese mbetet shtimi i vdekjeve në qendrat për të moshuarit ku vetëm në dy ditë rastet u shtuan me 50%. Mbi 400 vetë humbën jetën në 24 orët e fundit në spitale, më pak së një ditë më herët. Por me 929 viktimat e shënuara në qendrat për të moshuarit në dy ditë, bilanci ngjitet në mbi 1300 të vdekur. Gjithsesi autoritetet janë besimplotë se masat e distancimit social po rezultojnë të frytshme.
(A2 Televizion)