
Korporata e Investimeve Shqiptare nisi shqyrtimin në Komisionin e Ekonomisë, edhe pse forma finale e projektligjit nuk ishte në duart e deputetëve. Pas konsultimeve me ekspertë dhe pas kritikave nga Komisioni Europian, Ministria e Financave ka bërë disa ndërhyrje të fundit në draft që ulin rreziqet për financat e shtetit dhe rrisin transparencën në prokurime.
“Drafti që ka ardhur me ndryshime nuk është draft ligjor” deklaroi kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ndërsa deputetja e PS, Mesi u shpreh “Le t’i referohemi një drafti final dhe jo të punojmë në një draft të një drafti që na qënka jashtë çdo funksioni”.
I ftuar për të dhënë shpjegime në parim mbi projektligjin, zëvendësministri I Financave, Elton Haxhi deklaroi se Korporata e Investimeve Shqiptare është mjeti më i mirë për të shfrytëzuar pronat e fjetura të shtetit. Por deputeti socialist Vullnet Sinaj vuri në dukje historikun negativ të privatizimeve në Shqipëri.
“Prona Publike, me legjislacionin aktual ose shitet në ankand ose jepet me qira ose jepet për investime strategjike me 1 euro dhe shteti humbet të gjithë angazhimin mbas këtyre veprimeve të lartpërmendura. Pa këtë korporatë do të ishte e pamundur që një investitor privat të hynte dhe të zhvillonte një projekt të një kompleksiteti të cilin korporata mundohet të adresojë” u shpreh zv/ministri Haxhi.
Për opozitën në Kuvend, projektligji ngre shumë shqetësime veçanërisht me transferimin e pronave shtetërore drejt kësaj Korporate që funksionon si biznes privat dhe huave që ajo ka të drejtë të marrë. (A2 Televizion)