
Disa ditë më parë qarkulloi lajmi se Kosova kryesonte klasifikimin tragjik të vdekshmërisë nga COVID-19 në rang botëror, duke iu referuar viktimave për një milion banorë.
Faik Hoti, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, saktëson për A2 këtë të dhënë që ka shqetësuar të gjithë. “Kanë qarkulluar shifra të ndryshme, por ai studim u interpretua duke marrë parasysh një periudhë të caktuar dyjavore, jo numrin total. Prandaj ne si ministri reaguam, sepse bëhej fjalë vetëm për muajin e gushtit. Duke marrë parasysh shifrat nga fillimi i pandemisë, ka vende me statistika shumë më të larta”, thotë ai.
Kjo nuk do të thotë që autoritetet kosovare nuk janë të shqetësuara, edhe pse të dhënat e fundit sipas tij lënë të shpresosh për më mirë. “Një muaj më parë kemi pasur shifra shumë më të ulëta, por njerëzit nuk qarkullonin, ndërkohë që me lirimin e shumë veprimtarive ishte e pritur të kishin ngritje të shifrave. Shqetësimi kryesor ka qenë rritja e rasteve që përfundonin me fatalitet dhe ngarkesa e lartë spitalore. Gjatë kësaj jave kemi pasur një ndryshim të vogël që na jep shpresë, me rreth 70 pacientë më pak në spitale nga java e kaluar", vijon zëdhënësi i Ministrisë.
Hoti jep edhe të dhëna për një rritje të kapaciteteve testuese në vend. “Aktualisht kemi 4 aparatura PCR, presim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë 3 të tjera, ndërkohë që 7 aparatura janë në proces blerje, diçka që do të na ndihmojë në decentralizimin e procesit. Ndërkohë kemi rezultatet e para edhe nga laboratorët privatë, që në javën e parë kanë kaluar 100 teste serologjike dhe 200 molekulare me PCR”, përfundon Hoti. (A2 Televizion)