
Për herën e pestë që prej shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Kosova do të zhvillojë sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare, më 14 shkurt, në të cilat 28 subjekte politike garojnë për 120 vende në parlament.
Për të gjetur herën e fundit që Kosova ka zhvilluar zgjedhje sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor do duhet të kthehemi në vitin 2007, një vit pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe një para shpalljes së pavarësisë.
Pikënisja kronologjike e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë nis në vitin 2010, të cilat nxorën fituese Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të drejtuar nga Hashim Thaçi, e cila krijoji qeverinë pasi formoi koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, që ishte partia e dytë më e madhe në Kuvend.
Diskurset e kundërta politike deri në përplasje brenda koalicionit qeverisës, si dhe pamundësia për vendimmarrjeje për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës çuan në ndarjen e dy aleatëve në vitin 2014, disa muaj para përfundimit zyrtar të mandatit të qeverisë.
Zgjedhjet që pasuan patën të njëjtin rezultat dhe pas 6 muajsh negociata, PDK u bashkua sërish me LDK për të formuar qeverinë e kryesuar këtë herë nga Isa Mustafa. Qeveria “Mustafa” zgjati vetëm tri vite pasi koalicioni u prish, kësaj here pas dështimit të Kuvendit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Në zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan në të njëjtin vit, PDK hyri në koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt dhe partinë NISMA të Fatmir Limajt.
Treshja në koalicion fitoi zgjedhjet ndërsa kryeministër u zgjodh Ramush Haradinaj. Dy vite më vonë, në 2019, ai u thirr nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar mbi akuzat për krime lufte nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo solli dorëheqjen e kryeministrit dhe hyrjen në zgjedhjet e parakohshme të radhës.
Zgjedhjet e vitit 2019 sollën një ndryshim të madh në Kosovë pasi u fituan për herën e parë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit. Fitorja e Vetëvendosjes do ishte e para fitore për një subjekt politik që nuk lidhej ngushtësisht me zhvillimet pas Luftës së Kosovës e më konkretisht me UÇK-në. Por, qeveria e kryesuar nga Albin Kurti u rrëzua me 82 vota vetëm 50 ditë pas formimit të saj.
Rrëzimi i Kurtit solli në krye të Kosovës, Avdullah Hotin. Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli jokushtetuese qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti, më 21 dhjetor 2020, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme nën argumentin se, “qeveria nuk ka marrë shumicën e votave e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, në votimin e 3 qershorit 2020. Shpallja jokushtetuese e Qeverisë së Kosovës erdhi për shkak të deputetit Ethem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “Mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim.
Formimi i një qeverie në Kosovë kërkon një shumicë të thjeshtë parlamentare, prej 61 deputetësh nga 120 që është totali. Deputeti Ethem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë dhe në pritje për t’u burgosur, përfaqësonte një nga 61 votat vendimtare për formimin e qeverisë. (A2 Televizion)