
Deputeti demokrat, Bardh Spahia ishte i ftuar në Off the Record ku foli në lidhje me pr.ligjin për barazinë gjinore i cili ka shkaktuar debate të shumta ditën e sotme, tashmë që po diskutohet në parlament dhe është gati për miratim.
Sipas Spahias, ky ligj synon të zhbëjë familjen shqiptare, teksa shton se ai është i sponsorizuar nga organizata dhe shoqata që ndjekin agjendën Woke dhe Sorosiane.
“Ky është një diskutim i pavënd. Deklaratat e Berishës ishin brenda rregullave, në respektim të zgjedhjeve të gjithësecilit. Ne e kemi thënë që gjatë diskutimeve në komision se ky ligj synon të zhbëjë bërthamën e shoqërisë, familjen dhe të hapë rrugën e më shumë se dy gjinive. Insistojmë, përdorimi i termit gjini siç parashikohet në fjalorin shqiptar. Fjala gjini ka dy gjini mashkull e femër që nuk mund të ndryshohen gjatë jetës.
Mazhoranca abuzon me fjalën gjini në kontekstin biologjik. Ky ligj ka qëllim t’i hapë rrugë vetëidentifikimeve, ky është një dëm i madh që i bëhet familjes. Ligjin e solli Ministria e Shëndetësisë, por dhe ne e pyetëm kush e solli. Ky ligj është i sponsorizuar nga shoqata dhe institucione të agjendave Woke, sorosiane. Këto agjenda po gjejnë luftë ndërkombëtare”, tha deputeti Spahia për Andrea Dangllin. (A2 Televizion)
