Kosova rihap kufijtë tokësor, hapen çerdhet, qendrat tregtare e kafenetë

Nga A2 CNN
1 Qershor 2020, 17:50 | Kosova
Kosova rihap kufijtë tokësor, hapen çerdhet, qendrat tregtare e

Kosova hedh një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në normalitet, duke hapur çerdhet, qendrat tregtare, kafenetë, restorantet dhe kufijtë tokësorë. Ministri në detyrë i Shëndetësisë tha se nga një qershori nis faza e tretë e lehtësimit të masave të marra për frenimin e pandemisë së Covid-19. 

“Do të hapen kufijtë kryesorë tokësorë të Republikës së Kosovës, ndërsa pas një jave do të bëhet vlerësimi për mundësinë e hapjes edhe të kufijve ajrorë. Do të hapet i gjithë sektori i gastronomisë dhe shërbimeve të ngjashme, do të hapen qendrat tregtare. Do të kthehen në punë gjithë zyrtarët publikë në gjitha nivelet e institucioneve. Do të hapen të gjitha veprimtaritë e barnatoreve dhe do të fillojnë aktivitetin taksitë. Natyrisht të gjitha këto aktivitete janë të mundshme vetëm me masat mbrojtëse konform rekomandimeve të IKSHP-së dhe Ministria e Shëndetësisë”, tha Arben Vitia.

Por menjëherë më pas kanë reaguar kryetarët e komunave të Prishtinës, Obiliqit dhe Drenasit të cilët njoftuan se nuk do të hapnin çerdhet në 1 qershor, pasi nuk kanë njoftime zyrtare se si do të veprohet gjatë kësaj faze.

Vitia njoftoi gjithashtu se do të lejohej rikthimi në shkollë i nxënësve të klasave të nënta, që do t’i nënshtrohet testit në 23 qershor, ndërsa ai maturës do të mbahet në 4 korrik.  

Ministri në detyrë tha se vendimet janë marrë bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili ka vlerësuar se "ekziston një rrezik i reduktuar nga pandemia". Deri më tani autoritetet e Kosovës kanë raportuar 1,070 raste dhe 30 viktima nga koronavirusi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos