
Zgjedhjet vendore në Kosovë panë humbjen e disa prej qyteteve kryesore nga Vetëvendosja e kryeministrit Albin Kurti. Duke marrë parasysh edhe turin e parë zgjedhor, PDK fiton 9 komuna në total, më shumë se partitë e tjera shqiptare, LDK 7, AAK 5 dhe VV 4, Nisma 1, pa llogaritur 10 komunat serbe.
Kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia e ka pranuar humbjen në këto zgjedhje, duke thënë në konferencë për shtyp se tashmë kryeqyteti e ka kryetarin e ri, Përparim Ramën.
“Prishtina tashmë e ka një kryetar të ri, dhe ai është Përparim Rama. Prishtinës i dëshiroj sukses dhe të gjitha të mirat. Personalisht unë dhe VV-ja do të jemi krahë në çdo proces që është në interesin e qytetarëve”.
Rama ka marrë 40.658 vota, 51.07%, ndërsa Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje mori vetëm 48.93% të votave, 38958 në total.
Humbje për VV edhe në Prizren, kandidati i PDK Shaqir Totaj fitoi duke arritur 51,01% ndaj atij të VV Myhater Haskuka, me 48.99%. Në Gjakovë, kandidati i AAK Ardian Gjini fitoi bindshëm me 56.06% ndaj Mimoza Kusari Lila të VV, me 43.94%. Ndërkohë në Gjilan, kandidati i VV Alban Hyseni fiton me 51.03% të votave ndaj kandidatit të PDK, ish-zëvendëskryeministrin Lutfi Haziri, me 48, 97%. Në Vushtrri, kandidati i PDK Ferit Idrizi fiton bindshëm ndaj atij të LDK-së Xhafer Tahiri, me 53.13% të votave.
Në Podujevë, kandidati i Vetëvendosjes Shpëtim Bulliqi fiton me 51.84% kundër atij të LDK-së Ekrem Hyseni, me 48,16 % të votave. Në Malishevë, kandidati i Nismës ku Ekrem Kastrati fiton me 53,19% ndaj kandidatit të PDK, Isni Kilaj, që u ndal në 46.81%. Në Gllogovc, Ramiz Lladrovci i PDK fiton me 54.09% ndaj kandidati i pavarur Driton Ajazi.
Në Istog, Ilir Ferati i LDK fiton bindshëm me 56, 20% ndaj kandidatit Bekë Berisha të AAK. Në Klinë. AAK fiton me kandidatin Zenun Elezaj me 55.11% të votave duke mundur Esat Racin e PDK. Në Rahovec, dominim i Smajl Latifit të AAK, i cili fitoi me 65,32% ndaj kandidatit të VV Visar Korenica.
Qendrat e votimit në Kosovë, ku u mbajt raundi i dytë të zgjedhjeve lokale, u mbyllën në orën 19:00. Procesi u zhvillua në mënyrë të kënaqshme gjatë gjithë ditës, në 575 qendrat rreth vendit, ku sipas KQZ votoi 37.85% të votuesve.
Mbi 1.2 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, në balotazhin e 14 nëntorit, ku u zgjodhën kryetarët e 21 komunave.
Këto janë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve vendore :
Lista Serbe(10): Leposaviq, Novobërda, Shtërpca, Zubin Potoku, Zveçani, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica e Veriut, Kllokot;
PDK (9): Prizren, Drenas, Kaçanik, Vushtrri, Dragash, Mitrovicë, Skenderaj, Hani i Elezit, Ferizaj
LDK (7): Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Viti, Junik, Peje, Lipjan
AAK(5): Gjakovë, Klinë, Rahovec, Therandë, Deçan.
VV(4): Gjilan, Podujevë, Kamenicë, Shtime.
Nisma (1): Malishevë.
Xhafer Gashi: Obiliq (A2 Televizion)