Kosovë, vijojnë përplasjet për të riun e vetëvrarë në karantinë

Nga A2 CNN
5 Maj 2020, 12:05 | Kosova
Kosovë, vijojnë përplasjet për të riun e

Kosova vijon të raportojë shifra të ulëta lidhur me pandeminë e Covid-19. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi vetëm 4 raste të reja të hënën, ndërsa 22 ishin personat e shëruar.

Sipas të dhënave, deri më tani 855 vetë janë prekur nga koronavirusi në Kosovë, 403 janë shëruar dhe 26 kanë humbur jetën.

Vëmendja e këtyre ditëve është zhvendosur te rasti i të riut nga Gjilani, i cili humbi jetën të dielën, pasi u hodh nga kati i pestë i qendrës së studentëve, e kthyer në zonë karantine. Siç raportohet, 26-vjeçari kishte kërkuar të vetizolohej për shkak të problemeve shëndetësore, por një gjë e tillë ishte refuzuar.

Rasti nxiti reagime të ashpra, me Partinë Demokratike të Kosovës që kërkon dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia. Kryetari i LDK, Isa Mustafa dhe ai i AAK, Ramush Haradinaj kërkojnë nisjen e hetimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me Haradinaj që thotë se institucionet duhet të ishin treguar më vigjilente.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, bën thirrje që rasti i vdekjes të mos politizohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos