1 miliard e 76 milionë euro është shuma që do t’i nevojitet Shqipërisë në procesin e rindërtimit. Shifra del nga raporti mbi katastrofën e tërmetit, hartuar nga ekspertët e Bashkimit Europian, OKB, Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare.
Pjesa dërrmuese e fondeve do të shkojnë për ndërtimin e banesave të reja dhe riparimin e atyre të dëmtuara. Në total për strehimin e mbi 17 mijë njerëzve në tre qarqet më të prekura duhen rreth 802 milionë euro. Në infrastrukturë, ku përfshihen ndërtesat shtetërore dhe ujësjellësit, energjia, transporti dhe komunikacioni, do të nevojiten 61 milionë euro.
Edhe industria prodhuese në vend do të ketë nevojë për 51 milionë euro investime për t’u ringritur, ku përfshihen bizneset e dëmtuara, industria e turizmit, bujqësia, si dhe monumentet e trashëgimisë kulturore.
Një faturë të lartë ka edhe arsimi, ku për 321 objektet arsimore të shembura apo dëmtuara do të nevojiten rreth 95 milionë euro për rindërtimin dhe rikonstruksionin. Në shëndetësi fatura arrin ne 14,5 milionë euro, ndjekur nga 2,8 milionë euro për mbrojtjen sociale për familjet në vështirësi ekonomike.
Raporti në fund vlerëson edhe një kosto prej 48 milionë eurosh që do të nevojiten për mbrojtjen civile dhe reduktimin e rreziqeve nga katastrofat, në mënyrë që vendi të jetë më i përgatitur në të ardhmen për t’i bërë ballë tërmeteve, përmbytjeve dhe zjarreve. (A2 Televizion)