SHBA dhe Irani drejt marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës, Teherani hap dyert për negociata bërthamore

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2026, 16:10 | Bota

SHBA dhe Irani drejt marrëveshjes për t’i dhënë fund

Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të jenë më pranë se kurrë një marrëveshjeje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, pasi Teherani ka shfaqur gatishmëri për të diskutuar edhe programin e tij bërthamor, një çështje që deri më tani e kishte mbajtur jashtë negociatave.

Lajmi bëhet i ditur nga Bloomberg, duke iu referuar burimeve diplomatike, sipas të cilave Irani po shqyrton propozimet për aktivitetet e tij bërthamore, të përcjella përmes Katarit, i cili po luan rolin e ndërmjetësit në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje.

Zhvillimet diplomatike vijnë pas një bisede telefonike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe emirit të Katarit, ku në fokus kanë qenë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin.

Programi bërthamor iranian ka qenë një nga çështjet kryesore të përplasjes mes Uashingtonit dhe Teheranit. Trump ka deklaruar vazhdimisht se një prej objektivave kryesorë të luftës ishte pengimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se në çfarë gjendjeje ndodhet aktualisht programi bërthamor i Iranit dhe deri në çfarë mase janë zhvilluar aktivitetet e tij. Nga ana tjetër, Teherani ka këmbëngulur se programi i tij ka vetëm qëllime paqësore.

Gatishmëria për të diskutuar më shumë transparencë dhe angazhime lidhur me aktivitetet bërthamore shihet si një hap i rëndësishëm drejt një kompromisi të mundshëm mes dy vendeve.

Edhe Reuters dhe The New York Times kanë raportuar më herët se Irani ishte i gatshëm të bënte lëshime për çështjen bërthamore, duke shtuar shpresat për një zgjidhje përmes diplomacisë.

Ndërkohë, zyrtarët e Katarit kanë intensifikuar kontaktet në Doha dhe Teheran, me synimin për të çuar përpara negociatat dhe për të finalizuar një marrëveshje të mundshme.

Sipas raportimeve, ndërmjetësit synojnë të shfrytëzojnë këtë moment diplomatik përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara, të planifikuara për të martën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos