
Edhe ditën e sotme nuk po shuhen debatet brenda Partisë Demokratike. Sipas burimeve të A2, në mbledhjen e kryetarëve të degëve të PD, ka pasur debate mes kryetarit Lulzim Basha dhe disa prej tyre. Një prej tyre ishte edhe Anton Pjetërnikaj, kryetar i degës së PD në Paskuqan.
“I pari që keni shkelur statutin jeni ju. Ju nuk keni pyetur asnjë forum për vendimet dhe keni përçarë partinë. Kuvendi i datës 11 dhjetor është i demokratëve. Çdo thirrje tjetër është përçarje. Po përçani partinë”, mësohet t’i jetë drejtuar Pjetërnikaj kreut të PD-së.
“Është detyra juaj që ta zgjidhni këtë ngërç. Të gjithë delegatët me një përjashtim të papërfillshëm kanë firmosur formularët. Dhe Kuvendi do të mbahet më 11 dhjetor. Ju nuk jeni në gjendje që të mbushni mendjen e demokratëve se kush ka të drejtë. Dhe të drejtë ka shumica nga e cila ne dhe ju jemi zgjedhur” ka vijuar kryetari i degës së PD në Paskuqan. (A2 Televizion)