Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Klima e investimeve nën potencialin, por pandemia mund të sjellë mundësi të reja

Nga A2 CNN
2 Qershor 2021, 22:38 | Aktualitet

Enio Jaço është president i Dhomës Amerikane të Tregtisë, një nga dhomat me numrin më të madh të anëtarëve të huaj. Po si e shohin investitorët e huaj këtë periudhë post pandemie për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, duke ditur që krizat shpesh herë mund të shihen edhe si mundësi. “Klimën e investimeve në Shqipëri e gjykojmë si nën potencialin e saj. Raporte si Doing Business dhe të tjerë e tregojnë qartë. Shqipëria ka një potencial shumë më të madh se kaq, ndërkohë që jemi pas edhe vendeve të rajonit. Por jo gjithçka përben një lajm të keq dhe potenciali mundëson një përmirësim”. Jaço evidenton problematika që burojnë nga faktorë që ai cilëson si “të vjetër” dhe “të rinj”. “Të vjetrit janë ekonomia relativisht e brishtë, funksionimi i dobët i shtetit ligjor, që nuk krijon besueshmëri, kemi korrupsion që vazhdon të jetë i përhapur, kemi procedura më të rënduara se fqinjët, dhe një sistem taksash qe ka nevojë për përmirësim, ndërkohë që mungojnë paketa incentivash nga qeveria”, nënvizon presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë. Por sipas tij kemi tashmë edhe një situatë të re, që nënkupton disa sfida rajonale por që mund të jetë një mundësi e mirë për vendin. “Pandemia ka ndërprerë disa nga kanalet tradicionale të zinxhirit tregtar, dhe kjo ka përfaqësuar një mundësi për një treg si Shqipëria që ndodhet afër tregjeve të mëdha, si ai europian. Prodhuesit kryesorë, kanë nevojë për të shkurtuar zinxhirin e kanaleve të furnitorëve. Shqipëria dhe vendet e Ballkanit mund të përfitojnë nga kjo. Por kjo është sfidë sepse mes këtyre vendeve do fillojë një konkurrencë e fortë. I gjithë rajoni po shkon drejt Europës dhe kjo në vitet e ardhshme do të krijojë një lëvizje të madhe, dhe një interes të lartë në investime, por ne duhet të jemi të aftë t’i thithim ato”, deklaroi Jaço në ”Business Week”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos