Një anije turistike është përmbysur në lumin Misisipi, në New Orleans të SHBA-së, pas përplasjes me një cisternë nafte. Ngjarja ndodhi të premten, ndërsa dhjetëra pasagjerë përfunduan në ujë, duke u përpjekur të shpëtonin.
Pamjet filmike të siguruara nga CNN, të regjistruara nga dëshmitari okular Blas Armas, tregojnë momentet e panikut, teksa pasagjerët kapen pas parmakëve të kuvertës, ndërsa anija anohet dhe përfundon tërësisht në njërën anë. Disa prej tyre shihen duke notuar drejt bregut, ndërsa të tjerë ndihmohen nga mjete të vogla lundruese. Një person nga cisterna e afërt hodhi edhe një unazë shpëtimi në drejtim të njerëzve në ujë.
Armas tregoi se mes pasagjerëve kishte edhe të moshuar që kërkonin ndihmë të kapur nga paniku. Ai përshkroi momentet e vështira të një gruaje të moshuar, e cila mezi qëndronte mbi sipërfaqen e ujit.
Sipas kryebashkiakes së New Orleansit, Helena Moreno, anija “American Heritage”, në pronësi të American Cruise Lines, nisi të mbushej me ujë pasi u godit nga cisterna “Atlantic Asphalt”.
Kapitenia e Rojës Bregdetare amerikane, Melanie Burnham, tha se cisterna duket se kishte humbur kontrollin. Shkaqet po hetohen nga autoritetet.
Të gjithë personat në bord janë identifikuar. 32 prej tyre u transportuan në spital me lëndime jo të rënda. (A2 Televizion)