
Prokurori kryesor i Departamentit të Drejtësisë dha dorëheqjen, të hënën, në shenjë proteste pasi Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr, u tha prokurorëve që merren me krimet zgjedhore që të ekzaminojnë pretendimet për parregullsi në votime, para se shtetet të certifikojnë rezultatin përfundimtar.
Richard Pilger, drejtori i degës së krimeve zgjedhore në Seksionin e Integritetit Publik në Departamentin e Drejtësisë, u tha kolegëve, përmes një e-mail-i, se Prokurori i Përgjithshëm po ndryshonte politikat e institucionit duke hedhur poshtë një rregull 40-vjeçar për të mos nisur hetime për krime zgjedhore gjatë procesit, dhe pa u certifikuar ai.
Në memon që u kishte dërguar vartësve të tij, Barr nuk tha se kishte dëshmi për të mbështetur pretendimet e presidentit Trump. Në memo, Barr shkruan, gjithashtu, se “pjesa më e madhe e parregullsive nuk do të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit zgjedhor”, duke qenë se Biden kryeson me dhjetëra mijëra vota ndaj Trump. Reagimin e parë për këtë veprim të Pilger e bëri djali i presidentit Trump, Donald Jr., i cili e quajti atë pjesë të “Deep State” në një postim në Twitter, duke kujtuar një hetim të Senatit Amerikan kundër shënjestrimit të grupeve konservatore në SHBA, ku ishte i përfshirë edhe Pilger. (A2 Televizion)