
Krisja brenda Partisë Demokratike nuk ka marrë as zgjidhje ligjore e as politike. Sali Berisha deklaroi se diversiteti brenda deputetëve vijon, ndërsa gjykata nuk është shprehur ende mbi legjitimitetin juridik të mandatit të kryetarit të PD-së. Pavarësisht kësaj, kryedemokrati paralajmëroi një vjeshtë protestash kundër qeverisë Rama.
“Vjeshta që vjen do të shndërrohet në pranverën e protestave të demokracisë”.
Kjo verë qëlloi të ishte pa pushime për Partinë Demokratike. Sali Berisha është duke përgatitur aksionin opozitar demokrat, që si qëllim ka rrëzimin e qeverisë dhe vajtjen në zgjedhje të parakohshme. Por, në këtë rrugëtim, kryedemokrati është koshient se një kopje të çelësave të partisë vijon të kenë edhe kundërshtarët brenda selisë, të cilët janë në pritje të një vendimi gjykate: “PD do të shkojë në zgjedhje me siglën e saj, pavarësisht se Edi Rama do të bëjë gjithçka, por ç’është e vërteta, në këtë betejë kundër pluralizmit do të paguajë një çmim të tmerrshëm”.
E nëse grupimi i Berishës është aktiv edhe në ditët e gushtit, pjesa tjetër duket se ka marrë pushimet parlamentare, të cilat nuk kanë kthjelluar ende rrymat brenda grupit parlamentar. Sali Berisha deklaroi se diversiteti i qëndrimeve është prezent, por, pavarësisht kësaj, deputetët do të punojnë kundër maxhorancës socialiste: “Grupi parlamentar i PD është grup parlamentar i PD, natyrisht nuk mund të mohohet që ka diversitet në qëndrime, por në tërësi unë mendoj se çdo deputet do t’i qëndrojë luajal shumicës që e ka votuar dhe do të jetë i përkushtuar në betejën kundër këtij regjimi”.
I pyetur për nismat e PS-së për verifikimin e pastërtisë së figurës për deputetët, nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit, Berisha nënvizoi se PD ka qenë gjithmonë dakord për një ligj lustracioni, duke rikujtuar se në të shkuarën, ka qenë Edi Rama që e atakoi në Kushtetuese ligjin e vitit 2008: “PD ka qenë, është dhe do të mbetet nismëtare për çdo formë lustracioni për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Natyrisht, ne jemi që çdo qytetar të ketë të drejtë të njihet me dosjen e tij dhe askush tjetër përveç atij, nëse ai nuk kërkon për t’u zgjedhur”.
Në konferencën për shtyp, Berisha u ndal edhe tek ndërtimi i aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë dhe Portit turistik të Durrësit, duke i quajtur si afera të mëdha korruptive të qeverisë Rama. (A2 Televizion)