
Udhëheqësi i opozitës në Rusi dhe kritiku i Vladimir Putinit, Alexei Navalny, është shtruar në spital ditën e enjte. Sipas zëdhënëses së tij, dyshohet për helmim.
“Këtë mëngjes, Navalny po kthehej në Moskë nga Tomsku. Gjatë fluturimit, u ndje keq. Avioni u ul urgjentisht në Omsk. Mendojmë se Alexei është helmuar me diçka që i është hedhur në çaj. Vetëm atë gjë ka pirë në mëngjes. Mjekët thanë se helmi është përthithur më shpejt për shkak të çajit të nxehtë", shkroi në Twitter zëdhënësja Kira Yarmish.
Sipas saj, Navalny është i lidhur me një ventilator për momentin.
Media shtetërore ruse RIA Novosti raporton se gjendja e Alexei Navalny “është e rëndë, por e qëndrueshme”.
Vitin e kaluar, Navalny tha se mund të ishte helmuar kur u mbajt në komisariat, pasi pësoi një reaksion alergjik të çuditshëm. (A2 Televizion)