Kriza bardhezi, Pirlo mbetet trajneri i Juventusit

Nga A2 CNN
10 Maj 2021, 16:22 | Futboll
Kriza bardhezi, Pirlo mbetet trajneri i Juventusit

Humbja 3-0 përballë Milanit me rezultat dhe lojë konfirmoi sezonin e dështuar të Juventusit. Kur kanë mbetur edhe tre javë nga mbyllja e sezonit, bardhezinjtë pozicionohen në vendin e pestë në renditje dhe e shohin veten jashtë zonës Champions. Diçka që nuk ndodhte prej dhjetë vitesh.

Juventusi ka tre pikë më pak se Atalanta dhe Milani, ndërsa Napoli i vendit të katërt ndodhet në një pikë distancë. Edhe sfidat direkte me bergamaskët dhe kuqezinjtë nuk flasin në favor të kampionëve të shkurorëzuar, që krahasuar me Napolin kanë avantazhin e diferencës më të mirë të golave.

Këto orë kanë shërbyer për një reflektim të gjatë te Juventusi, me klubin që gjithsesi nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime drastike. Për momentin, Andrea Pirlo konfirmohet në krye të stolit. Ai do ta drejtojë ekipin edhe në ndeshjen e mesjavës me Sassuolon.

Gjithsesi, në momentin kur do të bëhen llogaritë e sezonit, me apo pa Champions, eksperimenti me ish-mesfushorin në postin e trajnerit do të përfundojë.

Pirlo ishte një bast i humbur dhe te Juventusi po planifikojnë të nisin një projekt të ri. Skuadra do t’i  nënshtrohet revolucionit, me rikthimin e Allegrit në stol, ose me ëndrrën për t’ia besuar ekipin Zinedine Zidane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos