“Kriza e shekullit”, BE paralajmëron Britaninë: Ndalojmë eksportin e vaksinave

Nga A2 CNN
18 Mars 2021, 10:44 | Bota
“Kriza e shekullit”, BE paralajmëron Britaninë:

Pandemia koronavirus po vendos në provë marrëdhënien mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.

Brukseli kërcënoi me ndalim të eksportit të vaksinave anti-covid, ndërsa qeveria e Londrës po i mban dozat për qytetarët e saj. Kjo vonesë në dërgimin e vaksinave mund të rrezikojë planet për të rinisur udhëtimet këtë verë, me valën e tretë të koronavirusit që po detyron shumë vende të BE-së që të ashpërsojnë kufizimet.

 “Jemi në krizën e shekullit dhe nuk po përjashtoj asgjë për momentin, pasi duhet të sigurohemi që europianët të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Jetët njerëzore, liritë civile dhe prosperiteti i ekonomisë sonë varen në të, në shpejtësinë e vaksinimit, për të ecur përpara”, deklaroi Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.

Ajo kërkoi më shumë reciprocitet nga vendet që janë prodhuese të vaksinave dhe sulmoi Britaninë për mungesën e dorëzimit të dozave të AstraZeneca.

Leyen paralajmëroi masa kufizuese të tjera mbi eksportin e vaksinave nëse situata nuk ndryshon. Konkretisht, BE-ja mund të ndalojë dërgimin e dozave të Pfizer-Biontech në Britani, të cila prodhohen në Belgjikë dhe Gjermani. Një reagim i drejtpërdrejtë nuk ka ardhur ende nga qeveria e Londrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos