Kriza politike, Gjermania: Ne nuk negociojmë, zgjidheni vetë

Nga A2 CNN
1 Tetor 2019, 11:41 | Politikë
Kriza politike, Gjermania: Ne nuk negociojmë, zgjidheni vetë

Gjermania nuk mund të jetë negociator i palëve politike për Reformën Zgjedhore. Kështu tha ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, gjatë një konference për mediat në kuadër të nisjes së “Tetorit gjerman”.

I pyetur nga A2 në lidhje me rolin që mund të luajë Gjermania në këtë proces, Zingraf, i cili e konsideroi pjesëmarrjen e të gjitha partive si një sinjal pozitiv, tha: “Jam i bindur plotësisht që zgjidhja për konfliktet politike vjen nga brenda dhe institucionet. Gjermania nuk është negociator. Kemi folur me partitë dhe kemi dhënë mbështetjen teknike. Në kuadër të Komisionit të Reformës Zgjedhore, një ekspert gjerman ka bashkëpunuar duke vendosur një draft në tavolinë. Mbi të mund të punohet”.

https://youtu.be/4FqlbSjxT_k

Një ditë më parë, edhe Bashkimi Europian refuzoi propozimin e Partisë Demokratike, për të qenë pjesë e strukturës së posaçme për Reformën Zgjedhore. Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Kociajancic tha për A2 se kjo nuk është një çështje që i takon BE dhe apelon për dialog mes palëve.

Tre burime të ndryshme diplomatike i thanë A2 se për sa i përket dy forcave kryesore politike, kush duken më të interesuar për finalizimin sa më shpejt të reformës zgjedhore janë demokratët, të cilët shpresojnë në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme qershorin e ardhshëm. Ndërsa socialistët janë më të prirur që ta shtyjnë reformën për muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Këtë gjë e ka bërë të qartë edhe vetë Kryeministri Rama kur deklaroi se ishte për ndarjen e reformës në dy faza, fillimisht rekomandimet e OSBE/ODIHR e më pas çështjet e tjera.

“T’i japim kohë vetes që të diskutojmë për të gjitha aspektet e tjera. Do të dëgjojmë me respekt të gjitha kontributet dhe të gjitha idetë. Ne jemi partia e shumicës, kemi dhe ne idetë tona”, shprehej Kryeministri Rama.

Në lidhje me sistemin zgjedhor, A2 ka mësuar se ndërkombëtarët janë më të prirur drejt një proporcionali kombëtar me lista të hapura, por nuk janë imponues në këtë vendimmarrje, që mbetet për t’u negociuar jo vetëm mes dy të mëdhenjve por edhe me opozitën parlamentare. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2019/09/30/reforma-zgjedhore-be-refuzon-strukturen-e-posacme-propozuar-nga-pd/
https://a2news.com/2019/09/26/rama-kunder-reformes-me-te-huaj-pd-nuk-ka-kuptuar-gje/#utm_source=a2-related&utm_source=a2news&utm_campaign=general

A2 CNN Livestream

Latest Videos