Kriza politike në Itali, qeveria Conte fiton votëbesimin në Senat

Nga A2 CNN
20 Janar 2021, 15:18 | Bota
Kriza politike në Itali, qeveria Conte fiton votëbesimin në Senat

Qeveria italiane e kryeministrit, Giuseppe Conte, i mbijetoi votëbesimit duke qëndruar në pushtet. Kjo erdhi disa ditë pasi Matteo Renzi tërhoqi dy ministrat e partisë së tij “Italia Viva” nga kabineti duke thelluar krizën politike brenda koalicionit në mes të një pandemie.

Vota në Senat ishte 156 pro qeverisë, 140 kundër dhe 16 abstenim. Kjo do të thotë që Conte nuk e zotëron mazhorancën absolute në dhomën e sipërme të parlamentit italian.

Partitë opozitare planifikojnë t’i kërkojnë presidentit, Sergio Mattarella, që të ndërhyjë për ta detyruar shefin e qeverisë të japë dorëheqje. Gjatë ndërhyrjes në Senat, Conte tha se është e rëndësishme mbajtja e një kohezioni politik në përballjen me sfidën historike të pandemisë koronavirus.

“Në fillim të 2020-s kushtet për implementimin e projektit tonë politikë u përplasën fatkeqësisht me një uragan pandemik. Ishte dhe vijon të jetë një uragan pasi ka ndryshuar dhe vijon të ndryshojë mënyrën tonë të jetës, fatin tonë kolektiv. Kjo pandemi na ka detyruar që të ripërkufizojmë prioritetet tona, modelin e zhvillimit dhe dinamikën e marrëdhënies sonë”, deklaroi Conte.

Ndërsa Renzi, i kërkoi kryeministrit që të bëjë reforma më të forta dhe nënvizoi se Italia po humbet mundësinë më të madhe ekonomike që prej Planit Marshall, duke refuzuar huatë europiane.

“Kur je i përfshirë në politikë, ti mund të braktisësh një karrige, por nuk mund të braktisësh një ide”, tha Renzi.

Conte, një professor i drejtësisë, ka drejtuar një koalicion centrist që prej vitit 2018 me në bazë lëvizjen Pesë Yje dhe Partinë Demokratike. Edhe nëse nuk do ta fitonte votëbesimin, Italia mund të mos shkonte në zgjedhje pasi presidenti do të kërkonte formimin e një koalicioni të ri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos