
Pas takimit në Fier kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është ndalur në qytetin e Vlorës ku ka prezantuar kandidatët e LSI-së për këtë qark. Kryemadhi tha se LSI në Vlorë ka listën më përfaqësuese për qytetarët dhe kandidatët e LSI në Vlorë do të sjellin ndryshimin.
Ajo falënderoi përfaqësueset dhe përfaqësuesit e LSI-së në këtë qark duke theksuar se iu është mirënjohëse pasi përballuan presionin dhe terrorin psikologjik të një kaste në ikje.
“Ju jam shumë mirënjohëse grave dhe vajzave vlonjate, i jam mirënjohëse Shqiponjës, Junës, Monikës, të gjitha grave dhe vajzave, që në ditët më të vështira qëndruan në LSI, luftuan në LSI dhe mbi të gjitha përballuan, presionin, dhunën dhe terrorin psikologjik të një kaste në ikje”.
Për Kryemadhin LSI është një familje që në themel të saj ka respektin ëpr vendin dhe vlerat e familjes.
“Familja për ne është gjithçka, familja për ne është e shenjtë. Respekti për prindërit është i shenjtë dhe i patjetërsueshëm. Sepse në fund të fundit, këta jemi ne. Ne jemi familja e vërtetë shqiptare, që e ka në themel të saj dashurinë dhe respektin për vendin, për flamurin, për vlerat e familjes dhe për vlerat e respektit”. (A2 Televizion)