
Ervin Bushati, ish-kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, i ftuar në studion e “Ditarit” në A2 CNN, deklaroi se “Kryeministri ka dorë të hekurt mbi mazhorancën” dhe kjo gjë, sipas tij, “bën që qeveria të jetë akomoduese”.
“Kryeministri ka dorë të hekurt mbi mazhorancën, kjo bën që qeveria të jetë akomoduese. E thënë me elegancë, një qeveri e butë, që nuk ka një mendim alternativ apo që të sfidojë pak. Nuk po them që ministrat të kundërshtojnë kryeministrin larg qoftë, sepse në asnjë vend të botës ministrat nuk e kundërshtojnë haptazi kryeministrin. Por, të paktën, ministrat të kishin zërin e tyre, të propozonin diçka, të mbronin veten kur bëjnë gabime, se gjithmonë kryeministri i mbron. Nuk ka asgjë të keqe që të ketë diskutim. Dy mendje njësoj, njëra është tepër. E njëjta gjë ndodh në politikë. Do të ishte mirë që të kishte më shumë debat konstruktiv. Kjo bën që edhe në Parlament të induktohet i njëjti mentalitet, që kryeministri nuk gabon dhe po tha një gjë, ajo gjë ka mbaruar. Kryeministri është shqiptar, është njeri dhe siç ka thënë Aristoteli, njerëzit bëjnë gabime. Kryeministri bën gabime, nuk është as Zeusi, as Skënderbeu. Është politikani më i zoti që ka nxjerrë Shqipëria, por unë mendoj se duhet të rritet si burrë shteti”, deklaroi Bushati.
Në lidhje me zgjedhjet vendore, Bushati u shpreh: “80% e qytetarëve shqiptarë do të kenë kryebashkiak të majtë pas zgjedhjeve. Të gjitha qytetet e mëdha, ku jetojnë 80% e shqiptarëve, do të drejtohen nga të majtët. Do të ketë pastaj edhe çmime ngushëlluese për opozitën, kushdo qoftë ajo, te bashkitë e nivelit të tretë. Mungesa e rinovimit të opozitës, që nuk ka asnjë kandidat për lider, që të jetë alternativë kryeministrore në vitin 2025, e bën infertile opozitën. Është një organizëm hibrid, që nuk do të prodhojë dot një mazhorancë. Sali Berisha nuk sjell dot diçka të re. Një njeri 83 vjeç, me gjithë respektin për moshën, e ka të vështirë të jetë ofertë e re për qytetarët shqiptarë”. (A2 Televizion)