Kryeprokurori në Elbasan: Bandat po diktojnë jetën ekonomike

Nga A2 CNN
5 Tetor 2020, 16:10 | Kronikë
Kryeprokurori në Elbasan: Bandat po diktojnë jetën ekonomike

Niveli i krimit në rritje, si dhe ekonomia dhe territori i qytetit po ndikohet nga bandat e krimit të organizuar, ishin konstatimet e kryeprokurorit të vendit Olsian Çela gjatë një takimi me vartësit në prokurorinë e Elbasanit. Sipas Çelës situata kërkon një përgjigje profesionale dhe të shpejtë nga institucionet ligjzbatuese, në mënyrë që perspektiva e të rinjve të mos jetë rekrutimi nga bandat.

Kryeprokurori i vendit, Olsian Çela, nuk ka nguruar ta cilësojë qytetin e Elbasanit, si një qytet ku jeta ekonomike dhe territori po diktohen nga bandat e krimit të organizuar. Duke iu referuar ngjarjeve të fundit të ndodhura në Elbasan, por edhe atyre të mëparshme, Çela ka kërkuar reagimin e institucioneve ligjzbatuese në mënyrë sa më të shpejtë dhe profesionale, në mënyrë që të rinjtë e Elbasanit të mos rekrutohen nga bandat.

Olsian Çela, prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë: "Niveli i krimit është në rritje, nuk kemi të bëjmë me krimin e zakonshëm, por kemi të bëjmë me krimin e organizuar. Në Elbasan po vihen re shenja të qarta të kontrollit kriminal mbi territorin si dhe mbi jetën ekonomike të qytetit. Këto janë tipare të qarta të krimit të organizuar që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe kërkojnë përgjigje ekzemplare nga strukturat e shtetit. Nuk mund të tolerohet që një qytet të kthehet në skenë lufte mes bandash për pushtim territori dhe influence. Këto janë maja e ajsbergut për atë që ndodh realisht në Elbasan. Ne po përballemi me një situatë aspak të zakonshme. Nuk mundet që perspektiva e të rinjve të jetë ajo e rekrutimit nga bandat që kontrollojnë qytetin. Elbasani nuk mund të kthehet në një model të Siçilisë së viteve ’70 apo 80”.

Situata e krimit në qytetin e Elbasanit, sipas kryeprokurorit të vendit, nuk rezulton aspak e njëjtë me atë që paraqiti ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, disa ditë më parë në Elbasan, teksa promovonin me paradë dhe sirena, njësitë e reja të policisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos