
“Super komod”! Kryeministrin Edi Rama, marrja e Presidencës së OSBE, thotë se e gjen në pozita të rehatshme. Kriza politike në Tiranë, zgjedhjet në shumicën e bashkive me një kandidat apo edhe ligji për shpifjen për kryeministrin Rama, nuk janë problem as i qeverisë së tij e as i OSBE.
“Jemi superkrenarë që kemi marrë këtë përgjegjësi kaq të madhe dhe që Shqipëria sot është dhe në një pozicion të tillë që është edhe një vlerësim. Gazetarët e pakënaqur me ligjin duhet të lexojnë ligjin. Është tejkaluar fjala e madhe, është një krizë artificiale, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore”, deklaroi kryeministri para gazetarëve.
Si kryesues i kësaj organizate, kryeministri shqiptar, në bashkëbisedimin me gazetarët në Vjenë, foli edhe për ambiciet që ka mbi Kosovën, pavarësisht se në Prishtine thotë se e kanë vendosur mes dy zjarreve.
“Mendoj që e kemi kapacitetin e duhur që të bëjmë diçka edhe për Kosovën, aq më tepër tani që unë në Prishtinën zyrtare jam tradhtar ndërsa në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”, shtoi kreu i qeverisë.
Rama njoftoi gjithashtu se shumë shpejt do të të ketë vizita zyrtare në SHBA e Rusi, ndërsa nuk do të mungojnë dhe takimet zyrtare në Ukrainë. (A2 Televizion)