Ashtu siç tha javë më parë për A2 presidenti Safet Gjici, ditën e sotme është bërë zyrtare transferimi i dy lojtarëve nga Luftëtari, Vasil Shkurtaj dhe Eduart Rroca.
Sulmuesi Shkurtaj, i cili këtë sezon ka shënuar 6 gola në 15 ndeshje për gjirokastritët, shihet si një përforcim për repartin e avancuar, ku Kukësi ka më shumë nevojë.

Ndërkohë, Kukësi pritet të niset për në Antalia, ku do të zhvillojë fazën përgatitore për 12 ditë. Në qytetin bregdetar skuadra do të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore, kundër Basaksehir më 9 janar dhe kundër rusëve të Rostov më 11 janar.

Pas nënshkrimit me lojtarët, Presidenti i klubit, Safet Gjici, u shpreh tepër i kënaqur me dy blerjet, madje bëri edhe një premtim: “Tani shihemi në fazën e grupeve të Champions League”. (A2 Televizion)