Kurti dhe Osmani takuan Blinken, sekretari i shtetit: Kosova, partnere e palëkundur e SHBA

Nga A2 CNN
27 Korrik 2022, 12:50 | Kosova
Kurti dhe Osmani takuan Blinken, sekretari i shtetit: Kosova, partnere e

Kosova është partnere e palëkundur dhe e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte ky vlerësimi i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, i cili priti në Uashington presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Gjatë bisedës, kreu i diplomacisë amerikane, shprehu mbështetje për integrimet euroatlantike dhe dialogun me Serbinë. Blinken nënvizoi se të dyja vendet kanë një histori të gjatë bashkëpunimi dhe falënderoi Prishtinën për pritjen e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Ukrainës, pas luftës së nisur nga Rusia.

“Ne jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj. Ju falënderoj edhe një herë që i keni mirëpritur afganët dhe që kemi parë mbështetje që nga dita e parë për Ukrainën. Keni punuar edhe në aspektet tjera, gjë të cilën e çmoj. Presidente, e çmoj lidershipin tuaj. Nesër do të nënshkruani kontratën me Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit për energji. Kemi bashkëpunuar për të gjitha këto çështje dhe kemi punuar në çështjet kritike të sigurisë rajonale”, tha Antony Blinken, Sekretar Shteti i SHBA-së.

Nga ana tjetër, presidentja Osmani theksoi se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe vendosi theksin që dialogu me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke. Ajo premtoi të punojë me SHBA-në dhe vende të tjera demokratike, në mënyrë që pozita e Kosovës të forcohet dhe më tej duke marrë vendin e merituar në komunitetin euro-atlantik.

“Siç e dini, zoti Sekretar, Putin do të vijojë të tentojë të destabilizojë Europën, edhe përmes Ballkanit Perëndimor. Për këtë ne vazhdojmë të kemi nevojë për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara, gjithashtu edhe të aleatëve europianë, që të sigurohemi se planet e Rusisë dhe mashës së saj në rajon të ndalohen”, u shpreh Osmani.

Kryeministri Kurti pas takimit dhe bisedës me Sekretarin e Shtetit ishte e rëndësishme për raportet mes Kosovës dhe SHBA-së. Shefi i qeverisë bëri të ditur se kërkoi shtimin e investimeve amerikane në Kosovë dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendeve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos