
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i habitur që ende s’ka datë për takimin e radhës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic.
Megjithatë, ai ka theksuar se është e mundur arritja e njohjes reciproke me Serbinë, pasi beson në fuqinë e BE-së dhe ShBA-së për t’i bërë trysni Serbisë që të arrihet ky qëllim.
Kurti, në konferencë për media të premten, nënvizoi se asnjë prej pretendimeve për çnjohje të pavarësisë së Kosovës nuk është vërtetuar.
“Ftesë për dialog në Bruksel për takim të lartë të radhës nuk kemi ende. Të them të drejtën kjo është pak e çuditshme për mua, meqenëse me 18 gusht jemi marrë vesh që të kemi takime për çdo muaj…tash që po bëhen katër muaj nga (propozimi i BE-së për dialogun) e kemi pasur veç një takim. Unë kam pritur se do të ketë intensitet dhe dinamikë shumë më të lartë nga 18 gushti dhe 9 shtatori i vitit të kaluar”, tha ai.
Sa i përket rolit të ShBA-së në raport me propozimin e BE-së për dialogun, Kurti, tha se amerikanët janë në mbështetje të tij, derisa ritheksoi kërkesën e presidentit Biden se marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër.
“Presidenti amerikan Joe Biden e ka thënë shumë qartë që Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje finale e cila bënë normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. Ne plotësisht pajtohemi me këtë…Normalizimi i marrëdhënieve ka nevojë për një marrëveshje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme dhe kjo duhet të ketë njohjen reciproke në qendër. Unë besoj se kjo është e mundur, pasi besoj në fuqinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të bëjnë trysni shtesë mbi Beogradin. Për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç e ka thënë presidenti Biden, ashtu siç e dëshirojmë ne ka nevojë për trysni shtesë mbi Beogradin….Roli i ShBA-së përveç për paqe dhe siguri që është i padiskutueshëm dhe pazëvendësueshëm në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm është në mbështetje të propozimit franko-gjerman apo siç quhet ndryshe propozimi i Bashkimit Evropian”, u shpreh Kurti.
Duke folur për kërkesën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashic për themelimin e asociacionit, Kurti tha se e vlerëson atë, por kjo nuk do të thotë se pajtohet për gjithçka me të.
Po ashtu, ai tha se Serbia ka shkelur marrëveshjen e vitit 2013, ku përfshihet edhe themelimi i asociacionit, me dërgimin e letrave kundër pranimit të aplikimit të Kosovës në BE.
Ndërkaq, pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic se mbi dhjetë shtete kanë tërhequr njohjen ndaj Kosovës, kryeministri Kurti i quajti si përpjekje të dështuara, pasi asnjëra prej tyre nuk është vërtetuar nga shërbimi i jashtëm i Kosovës.
“Përpjekje e Beogradit, kur në një situatë kur ata i kanë humbur mbështetjen dhe përkrahjen e demokracive perëndimore, të përpiqen të tregohen të suksesshëm me luftën e tyre, agresivitetin e tyre në arenën ndërkombëtare diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Deri më sot asnjëri prej pretendimeve që e kanë thënë në Beograd, konkretisht presidenti i Serbisë nuk është vërtetuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht nga shërbimi jonë i jashtëm, ambasadori apo ambasadorët tanë. Nuk ekziston asnjë prej atyre pretendimeve që është vërtetuar”, deklaroi Kurti. (A2 Televizion)