Video-lojërat kanë arritur nivele grafike të admirueshme vitet e fundit, dhe në veçanti ato që kanë si temë futbollin mundohen të japin një atmosferë sa më reale, jo vetëm në realizimin e aksioneve të lojës, por edhe për gjithçka e rrethon.
Por ndonjëherë edhe gjenitë gabojnë, dhe kur ata “pickohen” nga personazhe të famshme, gabimi merr përmasa virale.
Rasti i fundit është ai i Franck Ribery, lojtari i famshëm që ka nderuar me gola dhe aksione fantastike Kombëtaren franceze dhe Bayern, dhe tani është ylli i Fiorentinës në Serie A.

Francezi postoi një status në Twitter, ku pasi thotë se ka luajtur me djalin në lojën “ FIFA 20”, thumbon EA Sports që ka realizuar video-lojën e famshme duke shtuar “Hey, kush është ky tipi këtu?”, duke iu referuar lojtarit që duhet të përfaqësonte atë në lojë.

Dhe në fakt, kampioni nuk ka shumë faj. Ribery virtual nuk i ngjason aspak atij të vërtetë, që edhe për arsyeje të një aksidenti të hershëm ka shenja të qarta në fytyrë.
Si paradoks, Ribery i FIFA i ngjason më shumë lojtarit që e ka zëvendësuar tek Bayern, ish-interistit Ivan Perisic. (A2 Televizion)