Gazetari Lutfi Dervishi dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, janë përfshirë në një debat të fortë në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, teksa diskutonin për protestat dhe arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në rrugë.
Dervishi paralajmëroi se përplasjet po e çojnë shoqërinë drejt një rruge me pasoja për të gjithë, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për qetësi dhe zgjidhje. Gonxhja iu përgjigj duke e lidhur këtë rrugë me Këshillin Kombëtar të PD-së, ndërsa i cilësoi protestuesit që shkaktojnë dhunë si “vandalë” dhe “halabakë”.
Dervishi u ndal edhe te arsyet që, sipas tij, kanë nxitur protestat, duke vendosur në krye të tyre koston e lartë të jetesës. Ai tha se një pjesë e të rinjve që vijnë në Tiranë nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet, ndërsa si shqetësime të tjera përmendi arrogancën dhe korrupsionin.
DEBATI
Dervishi: Njerëzit kanë nevojë për qetësi, shoqëria ka nevojë për qetësi, shoqëria ka nevojë për një zgjidhje. Rruga që jemi është rrugë me pasoja për të gjithë.
Gonxhja: Rruga e Këshillit Kombëtar të PD-së!
Dervishi: Do ta banalizosh bisedën...
Gonxhja: Rruga e kujt që kanë nisur?
Dervishi: Rruga e përplasjes.
Gonxhja: Rruga e kujt mo? Ke grup zjarri në bulevard, ke vandalë, ke halabakë.
Dervishi: Ke ngritur një shtet letre në qoftë se nuk bën dot zap 100 veta!
Gonxhja: Grup zjarri…Këta në rrugë kanë gjithçka që do të donin të kishin ata në Parlament. Atje ka detektorë dhe s’hyjnë dot.
Dervishi: Shoh shumë pak reflektim, që është më tepër për ta menaxhuar, jo për ta adresuar krizën. Zotërinjtë që kam përballë besoj i dinë arsyet e vërteta që i kanë nxjerr njerëzit në shesh, dhe arsyeja nr.1 e di edhe kryeministri se e ka artikuluar, është kostoja e jetesës, jetesë e papërballueshme për një pjesë të qytetarëve shqiptarë. Për të rinjtë që vijnë në Tiranë dhe nuk e përballojnë dot jetën, kjo është arsyeja nr.1. Arsyeja nr.2 është arroganca dhe korrupsioni, që është e pranishme. Problemi është që s’e kuptojnë se janë bërë problem, duke mos reflektuar. (A2 Televizion)